Hyjnë në fuqi tarifat për tunelin e Llogorasë

Tarifat që do të aplikohen për përdorimin e tunelit të Llogorasë nga përdoruesit e rrugës kanë hyrë zyrtarisht në fuqi.

Udhëzimi u botua në Fletoren Zyrtare, nga ku edhe janë detajuar tarifat e ndara në pesë kategori të ndryshme automjetesh, me çmime që nisin nga 100 lekë deri në 5,000 lekë.

Konkretisht tarifat për përdorimin e tunelit të Llogorasë sipas llojit dhe madhësisë së automjetit janë:

  • 100 Lekë: Klasa I A; Mjete motorike me karakteristika motoçiklete, motorcikletë me tre rrota dhe katerçikletë
  • 250 Lekë: Klas I; Mjete motorike me dy boshte dhe lartësi <=1.30 m, e matur te boshti i parë (makina pasagjerësh, automjete të lehta shpërndarjeje)
  • 500 Lekë: Klasa II; Mjete motorike me më shumë se dy boshte dhe lartësi  <=1.30 m, e matur te boshti i parë, (makina pasagjerësh me rimorkio ose karavan, automjete të lehta shpërndarjeje me rimorkio ose caravan)
  • 1,000 Lekë: Klasa III; Mjete motorike me dy ose tre boshte dhe lartësi >1.30 m, e matur te boshti i pare, përfshirë autobuzë, kamionë dhe mjete të ngjashme me rimorkio
  • 5,000 Lekë: Klasa IV; Mjete motorike me katër ose me shumë boshte dhe lartësi >1.30 m, e matur te boshti i parë, përfshirë autobuzë dhe kamione me shumë rimorkio.

Tarifat me parapagim (abonim) për përdoruesit e rregullt do të përcaktohen gjashtë (6) muaj pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi.

Udhëzimi përcakton gjithashtu një listë automjetesh dhe përdoruesish që përjashtohen plotësisht nga pagesa, kryesisht kur janë në kryerje të detyrës funksionale:

  • Automjetet e Policisë Rrugore;
  • Autoambulancat;
  • Automjetet e Forcave Zjarrfikëse;
  • Automjetet Ushtarake, NATO;
  • Personat që gëzojnë  statusin  e  invalidit dhe  përdorin automjete vetëm  për nevojat e tyre personale e jo për veprimtari private, përjashtohen plotësisht ose pjesërisht në përputhje me legjislacionin në fuqi;
  • Automjetet e  personelit  të ARRSH-së ose Entit të Operimit Rrugor, kur udhëtojnë  për përmbushjen e detyrave funksionale, siç janë shërbimet e monitorimit, koordinimit, mirëmbajtja dhe operimi.

Udhëzimi ndalon përdorimin e tunelit të Llogorasë nga mjetet që transportojnë mallra të rrezikshme.

Për zbatimin e tarifave dhe operimin e tunelit, janë ngarkuar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Enti Kombëtar i Operimit Rrugor dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME