Historia e shqiptarit Kadri Mahmuti ka prekur zemrat e shumë njerëzve në Gjermani dhe më gjerë. Mahmuti u bë baba në Paris në vitin 1979, por gëzimi i tij u zbeh shpejt kur vajza e tij e vogël, Hamide, vetëm dy vjeçe, u largua së bashku me nënën drejt Portugalisë. Për Kadri Mahmutin, ky ishte momenti më i vështirë i jetës, pasi frika se nuk do ta shihte më kurrë të bijën e shoqëroi për dekada të tëra.
I vendosur të mos dorëzohej, ai kaloi vite të tëra duke kërkuar gjurmë të vajzës, duke mos humbur kurrë shpresën. Pas shumë përpjekjesh të pasuksesshme, Kadri Mahmuti vendosi t’i drejtohej emisionit të njohur gjerman “Bitte melde dich” të gazetares Julia Leischik, i cili ka ndihmuar qindra njerëz të ribashkohen me familjarët e humbur. Historia e tij u transmetua në Gjermani, duke marrë vëmendjen e publikut dhe duke ringjallur shpresën se një ribashkim i shumëpritur mund të bëhet realitet.