Në botën e sportit, talenti i vërtetë dallohet herët. Jo vetëm nga fitoret, por nga mënyra se si një fëmijë hyn në palestër, si dëgjon trajnerin dhe si nuk dorëzohet edhe kur lodhja është më e madhe se forca. Aron Llano është pikërisht një nga ata emra që, edhe pse shumë i ri në moshë, po ndërton me hapa të sigurt një rrugë kampioni në kickboks.
I lindur më 18 shkurt 2016, Aroni është rritur mes disiplinës, punës së fortë dhe pasionit për sportin. Që në hapat e parë në palestrën e KickBox Fight Club Vlora, ai tregoi një lidhje të veçantë me ringun, dorezat dhe stërvitjen. Ajo që për shumë fëmijë është lodhje, për Aronin është kënaqësi dhe motivim.

Nën drejtimin e trajnerit Alban Alikaj, Aroni ka mësuar se forca nuk është vetëm fizike, por edhe mendore. Ai ka ndërtuar karakter, durim dhe respekt për kundërshtarin, duke treguar se është sportist i plotë, jo vetëm fitues ndeshjesh.
Rezultatet nuk kanë vonuar. Me disa tituj dhe turne të fituara brenda pak vitesh, Aroni është sot Kampion i Shqipërisë dhe fitues i disa eventeve prestigjioze kombëtare, duke u shndërruar në një nga talentet më premtuese të brezit të tij. Kjo intervistë për “Albania Express News” na njeh më nga afër me botën e Aronin: si e përjeton stërvitjen, çfarë e motivon, çfarë ëndërron dhe pse kickboksi për të nuk është thjesht sport, por një mënyrë jetese.

Aron, si u njohët për herë të parë me kickboksin?
Prindërit më çuan te palestra e KickBox Fight Club Vlora për t’u argëtuar dhe për t’u disiplinuar. Kur shkova aty, gjithçka më dukej e veçantë, e madhe dhe e bukur. Takova trajnerin Alban Alikaj dhe ai më tha se mund të filloja stërvitjen edhe pse isha i vogël. U lumturova shumë dhe mezi prisja të kthehesha sërish në palestër.
Çfarë të pëlqen më shumë te ky sport?
Më pëlqen që lodhem shumë dhe pastaj ndihem më i fortë. Më pëlqen kur më del ndonjë goditje e bukur që e kemi provuar në stërvitje. Ushtrimet me trajnerin më shtyjnë deri në limite dhe aty kuptoj që po forcohem gjithmonë e më shumë.

Sa kohë ke që merresh me kickboks?
Që nga viti 2021. Tani më duket sikur kam lindur me doreza.
Si ndihesh kur hyn në palestër për stërvitje?
Sikur hyj në lojën time të preferuar. Harroj telefonin, lodhjen, gjithçka.
Cili ka qenë momenti që të ka bërë më krenar deri tani?
Një ndeshje që kam bërë vitin e kaluar me një sportist nga Maqedonia e Veriut, dy vite më i madh dhe me më shumë eksperiencë. Luftova fort, dëgjova trajnerin dhe fitova. U ndjeva shumë krenar.

Sa herë në javë stërvitesh?
Sa herë që hapet palestra. Po të ishte për mua, do flija aty.
Çfarë është më e vështira në stërvitje për ty?
Kur jam shumë i lodhur dhe trajneri thotë “edhe një raund”. Aty mendoj se mbaroi, por vazhdoj. Në fund gëzohem që nuk u dorëzova.
Kush të motivon më shumë?
Trajneri, babi dhe shokët e stërvitjes. Nuk më lënë të dorëzohem edhe kur dua.

Çfarë do të thotë për ty të jesh sportist?
Të mos dorëzohesh edhe kur lodhesh shumë, të vish në stërvitje edhe kur nuk ke shumë qejf dhe të respektosh shokët dhe kundërshtarin.
Si sillesh kur fiton dhe kur humbet?
Kur fitoj, gëzohem shumë. Kur humb, stërvitem më shumë derisa të fitoj prapë.
Çfarë ëndrre ke lidhur me kickboksin?
Të bëhem kampion bote dhe të dëgjoj emrin tim të thirret në ring kur fitoj.

A ke sportistë që i admiron?
Që ditën e parë në palestër shikoja Edi Shehajn, Ilda Lelon dhe sportistët e tjerë të klubit. Më dukeshin shumë të fortë dhe doja të bëhesha si ata.
Çfarë do t’u thoje fëmijëve që duan të merren me sport?
Ejani në palestër! Në fillim lodhesh pak, pastaj nuk do të ikësh më kurrë sepse është shumë bukur, kënaqesh dhe bëhesh më i fortë.

TË DHËNA PERSONALE
Emër Mbiemër: Aron Llano
Datëlindja: 18.02.2016
Trofete të fituara:
•Kampion i Shqipërisë 2024–2025
•Fitues i turneut “Night of the Champions” 2024
•Fitues i turneut “Vlora Open” 2025
•Fitues i “Gjirokastra Open” 2025
Garat e ardhshme:
•Turneu Ndërkombëtar “Vlora Challenge” – 21.03.2026
•“Kupa e Shqipërisë” – Qershor 2026



Edhe pse i Vogel ne moshe por nje sportist i vertet . Me disiplin , edukat edhe stervitje hap pas hapi skalit fitore te medhaja . Moshataret e tij Jane lidhur me celular kurse Aroni hedh djerse ne palester 💪🏻.
Bravo Aaron , suksese te metejshme 💪🏻
Tu realizofte enderra 🏆🥉
Bravo Aron sporti te disiplinon dhe te ben me te fort ne jete.Suksese te metejshme dhe tu degjofte emri ne ringje boterore sepse e meriton per punen qe ben dhe vullnetin qe ke.
Është kënaqësi kur dëgjonë fjalë dhe komente kaqë të bukura dhe me shumë vlerë kurë bëhet fjalë për një djalosh të talentuar dhe shumë të ri në moshë siç është KAMPIONI ARON LLANO. Bravo KAMPION, jemi krenarë për ty, vazhdo kështu me vullnetë dhe pasion. Mundi djersa, përkushtimi dhe pasioni triumfojnë. 💪❤️🍀🇦🇱
BRAVO BRAVO BRAVO, ME IDE TE QARTA
SUKSESE TE MËTEJSHME
Bravo Aron, kështu vazhdo, se me vullnet do të arrish t’i plotësosh ëndrrat e tua! A,kanë harruar të shkruanin që përveç një sportist i mirë, ti je dhe një nxënës shumë i mirë.