Nga Fatmir Popja
Në një prej ndërhyrjeve më sfiduese të këtyre ditëve, Inxhinieri i Pyjeve, z. Fatmir Brazhda, Drejtor i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Elbasan, së bashku me 12 punonjës të përkushtuar të stafit të tij, janë angazhuar në mënyrë të jashtëzakonshme për shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë masivin pyjor pranë liqenit të Dushkut në territorin e bashkisë Gramsh.

Në kushte ekstreme, me pompa uji, lopata dhe vetëm me guximin si armën më të fortë, këta profesionistë të terrenit janë përballur me flakët që kanë përfshirë një zonë të gjerë me pishë të zezë dhe dushk, një pasuri natyrore kjo me vlera të rralla ekologjike dhe kulturore.

Zjarri, përveçse rrezikonte dëme të pakthyeshme në mjedis, kishte vënë në rrezik edhe Teqen e Dushkut dhe më e rëndësishmja, jetën e banorëve të kësaj zone.
Falë angazhimit të palodhur të ekipit të Administratës Rajonale Elbasan, mbështetjes së shërbimit pyjor të bashkisë Gramsh dhe solidaritetit të komunitetit vendas, zjarri është vënë nën kontroll mesditën e sotme.

Inxhinieri Fatmir Brazhda bën me dije se, ndonëse situata ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, puna e përbashkët dhe vendosmëria e të gjithë aktorëve kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve dhe shmangien e një tragjedie të mundshme.
Ky operacion nuk është vetëm një ndërhyrje për mbrojtjen e pyjeve, por një dëshmi e fortë e dashurisë për natyrën, për jetën dhe për trashëgiminë tonë të përbashkët.

Në këto momente, çdo qytetar duhet të ndjejë krenari për burrat dhe gratë që, në heshtje dhe me përkushtim, janë në vijën e parë të frontit për të mbrojtur atë që na përket të gjithëve.

