Një tjetër investim në shërbim të të rinjve është bërë realitet në qytetin e Prrenjasit. Deputetja e Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi, ka njoftuar për përfundimin dhe vënien në funksion të Qendrës Rinore, një hapësirë moderne e dedikuar zhvillimit dhe fuqizimit të të rinjve në zonë.

Sipas Muzhaqit, kjo qendër përfaqëson më shumë sesa një investim infrastrukturor, duke u kthyer në një ambient ku të rinjtë mund të mësojnë, të krijojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre pranë komunitetit ku jetojnë.
“Premtim i mbajtur – Qendra Rinore në Prrenjas është sot realitet. Jo vetëm fjalë, por mundësi konkrete për të rinjtë. Këtu lindin idetë dhe fillon rruga”, shprehet deputetja në reagimin e saj.

Realizimi i këtij projekti është bërë i mundur falë bashkëpunimit mes Agjencisë Kombëtare të Rinisë, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si dhe Bashkisë Prrenjas, institucione të cilat kanë kontribuar në krijimin e kësaj hapësire të re për komunitetin.
Qendra Rinore pritet të shërbejë si një pikë referimi për aktivitetet edukative, kulturore dhe sociale, duke ofruar më shumë mundësi për zhvillimin personal dhe profesional të të rinjve në Prrenjas.


