Gvozdenoviç sfidon Vllazninë: Sot, fiton Elbasani

Elbasani ndodhet përpara një sfide delikate në kampionat, teksa këtë javë pret në shtëpi rivalin më të afërt në renditje, Vllazninë. Pas tre ndeshjeve radhazi pa fitore, verdheblutë kërkojnë t’i japin një tjetër ritëm sezonit dhe të rikthehen tek fitoret përpara tifozerisë së tyre. Përballë do të kenë një kundërshtar me traditë, çka e bën sfidën edhe më të rëndësishme në aspektin taktik dhe emocional. Pavarësisht mungesave dhe ngjeshjes së kalendarit, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” trajneri Ivan Gvozdenoviç shfaqet i qartë dhe i vendosur për misionin e skuadrës së tij. Ai e konsideron Vllazninë një nga ekipet më të forta të kampionatit, por thekson se Elbasani ka identitetin dhe karakterin e vet, të cilin do ta shfaqë në fushë. Stafi teknik është fokusuar te rikuperimi, analiza dhe përgatitja e duhur për një ndeshje ku çdo detaj mund të bëjë diferencën. Trajneri serb vlerëson maksimalisht tifozët, të cilët sipas tij kanë qenë forca më e madhe e ekipit këtë sezon. Me energjinë e tyre në stadium, Gvozdenoviç beson se Elbasani mund të marrë rezultatin që kërkon.

Si vjen skuadra para kësaj ndeshjeje?

Në përgjithësi çdo gjë është në rregull, përveç mungesës së Lilës për arsye dëmtimi. Ai mungoi edhe ndaj Teutës. Sa i përket futbollistëve të tjerë, jemi mirë dhe nuk kemi mungesa të tjera.

Luani me ndjekësin më të afërt, Vllazninë. A keni menduar diçka speciale për ta mundur?

Tani, nuk mund të flasim shumë para ndeshjes. Duhet të presim deri sot për të parë nëse do të kemi diçka të veçantë të përgatitur. Ajo që mund të them me siguri është se jemi përgatitur mirë dhe kemi shumë respekt për ekipin e Vllaznisë. Janë një skuadër shumë e fortë dhe kam respekt edhe për tifozët e tyre. Por siç e kam thënë çdo javë, ne jemi Elbasani dhe do të provojmë, duke dhënë maksimumin në fushë, si në çdo ndeshje.

Shumë ndeshje brenda pak ditësh. Sa ndikon kjo tek Elbasani?

Nuk e shoh si një minus, as për ne dhe as për kundërshtarin. Pikërisht për këtë arsye ke më shumë se 20 lojtarë në një skuadër, që të përballosh ngjeshje të tilla. Kur luan çdo tre ditë, rikuperimi është shumë i rëndësishëm dhe pikërisht këtu jemi fokusuar, duke analizuar njëkohësisht edhe ndeshjen e radhës. Me pak fjalë, nuk e shoh si minus, por si situatë normale.

Tre ndeshje radhazi pa fituar. Jeni të shqetësuar?

Jo, unë shoh gjëra të tjera. Luajtëm kundër Dinamos, Partizanit dhe Teutës dhe për ne këto janë ndeshje që kanë vlerën e derbit. Ne futemi gjithmonë për të fituar, por edhe një pikë nuk është keq. Nuk jemi të kënaqur me barazime, sigurisht, por në fund çdo pikë ka vlerë. Ne gjithmonë kërkojmë fitoren, por nuk duhet të harrojmë që çdo pikë është e rëndësishme.

Mbrojtja po bind, ndërsa sulmi herë pas here has probleme. Pse?

Kjo është diçka që i ndodh çdo skuadre në botë, jo vetëm në Shqipëri. Sidomos këtu, ku kampionati është shumë i fortë në zonën mbrojtëse dhe shënohen pak gola. Për më tepër, nuk mendoj se jemi keq në aspektin ofensiv, sepse kemi shënuar 14 gola. Nuk mund të jemi perfekt në çdo gjë. Kampionati është i gjatë dhe ende nuk kemi hyrë në mesin e tij. Do të përpiqemi të rregullojmë disa gjëra dhe të bëjmë më mirë, por kjo është situata. Ne punojmë çdo ditë për t’u përmirësuar.

Nesër (sot) pritet një mbështetje e madhe në stadium. Keni një mesazh për tifozët?

Që nga java e parë dhe deri tani, nota për tifozët është 10. Ata na kanë dhënë një ndihmë të madhe në çdo ndeshje dhe kam besim se edhe nesër (sot) do të jetë e njëjta gjë. Puna jonë si ekip është të japim maksimumin në fushë për qytetin dhe tifozët tanë. Me ndihmën e Zotit, shpresojmë të dalim së bashku me një fitore.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME