Elbasani i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes ndaj Flamurtarit, e cila do të zhvillohet ditën e sotme në “Elbasan Arena”. Bëhet fjalë për një përballje të vetme që vendos kalimin ose jo më tej në Kupë, çka e bën edhe më të rëndësishme këtë duel për të dyja skuadrat. Pikërisht për këtë arsye, në kampin verdheblu mbizotëron përqendrimi maksimal, me objektivin për të shmangur çdo gabim që mund të kushtojë shtrenjtë në fund të 90 minutave. Situata në skuadër paraqitet pozitive, me elbasanasit që po rikuperojnë gradualisht edhe lojtarët e dëmtuar, ndonëse ekipi ende nuk është në gjendje optimale. Stafi teknik shpreson që mungesat të mos ndikojnë ndjeshëm në lojën e skuadrës, ndërsa grupi ka treguar seriozitet dhe disiplinë gjatë gjithë javës përgatitore. Atmosfera në stërvitje është vlerësuar si mjaft e mirë, çka jep sinjale pozitive për paraqitjen në ndeshje.
SITUATA – Për të folur rreth situatës në të cilën ndodhen elbasanasit dhe objektivave për përballjen me Flamurtarin, ka dalë para mediave trajneri Ivan Gvozdenoviç. Si gjithmonë i qetë dhe i matur para një ndeshjeje zyrtare, tekniku serb ka theksuar se Elbasani është gati për ta nisur vitin mbarë dhe për të avancuar më tej në Kupë, një objektiv që klubi e konsideron të rëndësishëm. “Lajmi i mirë është se shumica e lojtarëve janë gati, duke ditur se në fundin e vitit të kaluar kishim disa probleme me dëmtimet. Kemi edhe stërvitjen e fundit përpara ndeshjes, gjendja është e mirë dhe djemtë po mendojnë pozitivisht. Duam të vazhdojmë me një ritëm pozitiv dhe së bashku me stafin do të vendosim edhe për formacionin titullar”, u shpreh fillimisht trajneri i Elbasanit, duke lënë të kuptohet se konkurrenca brenda grupit është e shëndetshme.
FLAMURTARI – Në vijim, Gvozdenoviç u ndal më në hollësi te përballja me Flamurtarin, duke e parashikuar si një duel të fortë dhe mjaft të luftuar. Edhe pse Elbasani e ka mundur dy herë kundërshtarin në kampionat, trajneri nënvizon se ndeshjet e Kupës kanë një specifikë tjetër dhe nuk lejojnë asnjë moment neglizhence. Ai thekson se skuadra është e përgatitur për çdo skenar që mund të prodhojë një ndeshje e tillë. “Pavarësisht se i kemi mundur dy herë në kampionat, tani është Kupë dhe gjithçka nis nga e para. Është një ndeshje delikate dhe jam i sigurt se do të jetë një përballje interesante dhe e fortë. Ne do të luajmë për objektivat tanë dhe do të bëjmë maksimumin për ta fituar këtë ndeshje. Për pjesën tjetër, si gjithmonë, do të flasim në fund, pasi të ketë përfunduar takimi. Jemi gati për çdo detaj, qoftë për shtesat apo edhe për penalltitë, nëse do të jetë e nevojshme. E dimë që është vetëm një ndeshje dhe jemi përgatitur për çdo skenar”, theksoi numri një i pankinës elbasanase.
MERKATO – Gvozdenoviç u ndal gjithashtu edhe te merkatoja dhe fakti që Elbasani ende nuk ka zyrtarizuar asnjë afrim. Sipas tij, lëvizjet priten, por aktualisht gjithçka ndodhet në fazën e diskutimeve dhe vlerësimeve. Trajneri thekson se vendimet do të merren me kujdes, në varësi edhe të largimeve të mundshme nga skuadra. “Nga merkato varet edhe se cili do të largohet përpara se të bëjmë lëvizjet e para. Kemi filluar të mendojmë dhe e dimë se ku duhet të ndërhyjmë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me drejtorin dhe stafin për këtë çështje. Për momentin nuk mund të zbuloj më shumë, le të presim edhe pak”, mbylli prononcimin e tij trajneri i Elbasanit.

