Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis, u takua sot me Ministrin në Detyrë të Punëve të Jashtme të Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Libisë, Taher Salem Al Baour.
Sipas mediave të huaja, vizita pasoi vizitën e zotit Gerapetritis në Tripoli më 15 korrik, gjatë së cilës u ra dakord për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Gjatë takimit, të dy Ministrat deklaruan fillimin e procesit për përcaktimin e Zonës Ekonomike Ekskluzive midis Greqisë dhe Libisë. Në këtë kontekst, u mbajt takimi i parë i komiteteve teknike. U ra dakord që takimi i radhës të zhvillohej në Tripoli.
Axhenda përfshinte gjithashtu forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit. Në këtë pikë, Ministri i Punëve të Jashtme shprehu gatishmërinë e Greqisë për të vazhduar ofrimin e trajnimeve për oficerët e rojes bregdetare libiane.
Sipas njoftimit të zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme, Lana Zochiou, të dy Ministrat shkëmbyen mendime mbi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fushat e ekonomisë, energjisë, transportit dhe ndërtimit.
Ata shprehën gjithashtu gatishmërinë e tyre për të filluar një lidhje ajrore të drejtpërdrejtë midis Athinës e Tripolit dhe ranë dakord të zhvillojnë një mision biznesi grek në Tripoli në vjeshtë, shkruan A2 CNN.
Z. Gerapetritis theksoi nevojën për të respektuar të Drejtën Ndërkombëtare, përfshirë të Drejtën Ndërkombëtare të Detit dhe përsëriti qëndrimin grek dhe evropian në lidhje me memorandumin e pavlefshëm dhe joekzistent turko-libian.
Së fundmi, ai iu referua kontributit të konsiderueshëm të Greqisë, si shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe anëtar i zgjedhur i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike, të udhëhequr nga uniteti, zhvillimi dhe stabiliteti në Libi.