Qyteti i Gramshit është përfshirë nga ndërprerja e energjisë elektrike që prej mesnatës, duke lënë pa furnizim me drita dhe energji qindra familje dhe biznese.
Sipas informacioneve paraprake, shkak i situatës është bërë një defekt i rëndë në nënstacionin elektrik të zonës. Edhe pse fillimisht defekti u riparua nga ekipet teknike, ai është pasuar nga një tjetër avari, duke vështirësuar rikthimin e menjëhershëm të energjisë.
Prej disa orësh, grupet e punës ndodhen në terren dhe po vijojnë ndërhyrjet për identifikimin dhe eliminimin e plotë të defektit, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike në të gjithë qytetin.
Autoritetet pritet të japin një njoftim zyrtar mbi shkakun përfundimtar të avarisë dhe afatin e saktë të rikthimit të energjisë. Ndërkohë, banorët e Gramshit shprehen të shqetësuar për situatën, sidomos për shkak të temperaturave të ulëta dhe nevojës për ngrohje.

