Gonzato nga Përmeti: Shqipëria duhet të riciklojë deri 65% të mbetjeve deri në vitin 2036

Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato zhvilloi një vizitë në Përmet ku u takua me kryetaren e bashkisë Alma Hoxha për projektin e Qendrës së Riciklimit të Mbetjeve.

Në një prononcim për mediet, ambasadori tha se qendra e riciklimit të mbetjeve jashtë Përmetit do të bëjë të mundur uljen e mbetjeve.

Ai theksoi se, kjo qendër do të riciklojë gjithashtu plastikën, letrën, kartonin, aluminin dhe qelqin dhe në këtë mënyrë do të ulet ndikimi i mbetjeve te mjedisi.

“Një ndikim që është rritur edhe për shkak se është rritur turizmi”, tha ai.

Për këtë arsye, Gonzato, vlerësoi faktin se vetë bashkia i ka kushtuar vëmendje aspektit të qëndrueshëm të turizmit dhe mjedisit. Gonzato informoi se i ka thënë kryetares së bashkisë se nuk ka investuar vetëm në infrastrukturë por edhe tek vetë njerëzit.

“Pamë edhe shkollën këtu afër dhe gjithçka që ka të bëjë me edukimin sa i përket mjedisit është pjesë e kurrikulës së shkollës. Aty takuam mësues dhe nxënës që ishin entuziastë për të ruajtur mjedisin, për riciklimin, pra sa i përket qëndrueshmërisë së mjedisit”, tha Gonzato.

Gonzato u shpreh se këto projekte vijnë në kuadër të negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe grup-kapitullit të mjedisit, që është edhe më i vështiri.

“Shqipëria ka hapur 5 nga 6 grup-kapitujt që duhet të negociojë me BE. Dhe grup-kapitulli fundit që u hap përfshin gjithçka që ka të bëjë me ndryshimet klimatike dhe mjedisin. Ky është kapitull shumë i ndërlikuar me disa objektiva të qarta dhe ambicioze”, tha Gonzato.

Ambasadori theksoi se, deri në vitin 2036, në Shqipëri 65% e mbetjeve duhet të riciklohen dhe prandaj shtoi ai duhet të nisë puna që tani.

“Në Shqipëri deri në vitin 2036, 65% e mbetjeve do duhet të riciklohen. Që do të thotë se puna duhet të fillojë që tani. Po që tani duhet të fillojmë dhe të ndryshojmë edhe mendësinë e qytetarëve”, tha ai.

Gonzato theksoi se projekte për menaxhimin e mbetjeve do të shtrihen edhe në Gjirokastër, Korçë, por edhe në zona të tjera.

Gjithashtu ambasadori i BE vizitoi edhe qendrën e ping-pongut në Përmet, një tjetër qendër e restauruar nga BE-së.

Gonzato përmendi edhe dy fonde prej nga 50 milionë eurosh që i kanë dhënë qeverisë për përmirësimin e efikasitetit të energjisë në ndërtesat publike si dhe për rininë.

“Pjesë e këtyre 50 milionë eurove është edhe që në qytete të ketë vende karikimi për automjete apo biçikleta elektrike. Një gjë që është shumë e rëndësishme edhe për faktin se unë vetë kam një automjet elektrik dhe patëm problem për të gjetur një vend për të karikuar makinën, por besoj që herën tjetër që do vijmë në Përmet do të ketë një tjetër në qendër të Përmetit”, tha Gonzato.

“Përparësi tjetër për bashkinë është edhe rinia dhe diskutuam se si mund të japim stimuj për rininë që rinia të qëndrojë në Përmet ose të kthehet në Përmet”, tha ai.

“Këtu sërish i tregova kryetares se BE i ka dhënë qeverisë 50 milionë euro të tjera që kanë të bëjnë me garancinë rinore”, nënvizoi ai.

“Garancia rinore është një program shumë i rëndësishëm për rininë që ka ofruar në zona pilote edhe trajnime për rininë për t’i ndihmuar që të kalojnë nga bankat e shkollës në tregun e punës”, tha Gonzato.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Në mbështetje të doktoreshë Zheni Gjergji, Drejtores së Spitalit Rajonal Elbasan

Nga Xhoi Jakaj Në ditët e fundit, një pjesë e...

Cristiano Ronaldo po kërkon golin e 1000-të në karrierë, ndërkohë që papritur e parakalon Erling Haaland

Në futboll është pranuar gjerësisht se shënimi i golave...

Meta kërkon shuarje të masës së sigurisë, avokati paraqitet në SPAK: Mund të lirohet nëse…

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani është paraqitur këtë...