Gjirokastra nuk tërheq vizitorë vetëm për trashëgiminë historike dhe arkitekturën, por edhe për aktivitete kulturore që i japin jetë sokakëve. Në Pazarin Karakteristik të qytetit, eventi “Identitet që bashkon kohët” mblodhi qytetarë dhe turistë. Aktiviteti, i organizuar nga Bashkia e Gjirokastrës, u zhvillua në kuadër të “Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore” dhe “Ditës së Trashëgimisë Kulturore Kombëtare”.
Të rinj dhe nxënës shkollash zhvilluan një paradë me veshje moderne të ndërthurura me elementë tradicionalë dhe çelën një ekspozitë me punimet e tyre të realizuara me materiale të riciklueshme. Në një tjetër kënd të pazarit u ekspozuan edhe gatime tradicionale gjirokastrite. Aktiviteti u mbyll me një koncert polifonik të prezantuar nga fëmijët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Fato Berberi”.
Po në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore, u zhvillua edhe Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Gërmime arkeologjike në Antigone dhe Gjirokastër, vlerësimi i trashëgimisë dhe mundësitë për turizmin kulturor”, me pjesëmarrjen e studiuesve, arkeologëve dhe specialistëve të monumenteve kulturore shqiptarë dhe italianë. Gjatë konferencës u prezantuan zbulimet e fundit arkeologjike në sitin e Antigonesë dhe më gjerë, duke zgjeruar hartën e vizitueshmërisë për turistët.

