Pas konsultimeve të gjata dhe debatesh të forta ideologjike, partitë e koalicionit qeverisës në Gjermani – CDU/CSU dhe SPD – kanë arritur një marrëveshje për formën e re të shërbimit ushtarak, i cili do të mbetet në thelb vullnetar, por do të përfshijë elementë detyrimi në rast nevoje.
Sipas të përditshmes BILD, çdo 18-vjeçar do të plotësojë një pyetësor të posaçëm dhe do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore për hartimin e listave të qytetarëve të përshtatshëm për shërbim. Në rast se numri i vullnetarëve nuk mbulon nevojat e forcave të armatosura, Bundestagu do të ketë mundësinë të përcaktojë përmes shortit ata që do t’i nënshtrohen shërbimit të detyrueshëm.
Në variantin përfundimtar të marrëveshjes, është hequr elementi i “shortit të dyfishtë” i propozuar më herët nga Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD), që parashikonte përzgjedhjen me short të 18-vjeçarëve përpara ekzaminimit mjekësor.
Grupet parlamentare të partive qeverisëse janë informuar që në mëngjesin e sotëm, ndërsa njoftimi zyrtar pritet gjatë ditës.



