Përveç ndeshjes së Kosovës, mbrëmjen e kësaj të hëne janë zhvilluar edhe shtatë duele të tjera interesante në kuadër të kualifikueseve për Botërorin, me përfaqësuese të mëdha që kanë zbritur në fushë.
Gjermania duket se ka gjetur më në fund ekuilibrin dhe vazhdon e sigurt në rrugën e fitoreve. “Panzerat” triumfuan me vështirësi ndaj Irlandës së Veriut me rezultatin minimal 0-1, falë golit të Woltemade në minutën e 31’. Me këtë sukses, skuadra e Nagelsmann ruan vendin e parë të Grupit A me 9 pikë, po aq sa edhe Sllovakia, që mposhti 2-0 Luksemburgun.
Në Grupin B, ku ndodhet edhe Kosova, Zvicra u ndal për herë të parë, duke barazuar 0-0 në transfertë me Slloveninë, por mbetet në krye me 10 pikë.
Në Grupin D, Franca nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 në fushën e Islandës. Ishin vendasit që kaluan të parët në avantazh me Palsson (39’), ndërsa “Gjelat” përmbysën përkohësisht rezultatin me Nkunku (63’) dhe Mateta (68’), por Hlynsson (70’) vendosi barazimin përfundimtar. Ndërkohë, Ukraina fitoi 2-1 ndaj Azerbajxhanit, duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikim. Franca kryeson grupin me 10 pikë dhe është një hap larg Botërorit.
Në Grupin J, Belgjika mori kryesimin pas një fitoreje me përmbysje ndaj Uellsit me shifrat 2-4, ndërsa Maqedonia e Veriut u ndal në barazim 1-1 përballë Kazakistanit, duke humbur terren në garën për vendet e para.
Rezultatet e mbrëmjes
Grupi A
Irlandë e Veriut 0–1 Gjermani
Sllovaki 2–0 Luksemburg
Grupi B
Suedi 0–1 Kosovë
Slloveni 0–0 Zvicër
Grupi D
Islandë 2–2 Francë
Ukrainë 2–1 Azerbajxhan
Grupi J
Uells 2–4 Belgjikë
Maqedoni e Veriut 1–1 Kazakistan