Gazetari që shkruan për qytetin e tij

Nga Eduard Dervishaj

Lexoj shpesh në rrjetet sociale shkrimet e gazetarit të mirënjohur Bujar Qesja, kushtuar qytetarëve dhe profesionistëve të shquar të qytetit të tij. Dhe sa herë i lexoj kam ndjesinë se po eci nëpër rrugët e Durrësit.
Bujari është një gazetar që nuk kërkon vëmendje për veten por ua dhuron atë të tjerëve: njerëzve të thjeshtë, profesionistëve të heshtur, atyre që kanë punuar shumë dhe kanë lënë gjurmë në qytetin e tyre. Pikërisht kjo e bën shkrimin e tij të vlefshëm dhe tërheqës.
Shumë nga shkrimet e tij na kthejnë në një kohë tjetër, që sot duket e largët por që nuk duhet harruar. Sepse ishin pikërisht ata njerëz që me sakrifica të përditshme dhe me dinjitet përballë vështirësive kontribuan për ta mbajtur gjallë qytetin. Për këta njerëz shkruan Bujari. Ai u jep zë atyre që nuk patën mikrofon. U jep vend atyre që nuk patën podiume. Dhe kështu, përmes shkrimeve të tij, Durrësi ruan kujtesën e vet.
Të shkruash me mirënjohje dhe respekt për një qytet dhe njerëzit e tij është një akt qytetar por edhe thellësisht njerëzor. Shkrimet e Bujar Qeses janë gurë kujtese që nesër mund të bëhen faqe libri dhe të mbeten për brezat që vijnë, jo thjesht si emra por si histori jete. Si dëshmi se ky qytet është ndërtuar nga njerëz të zakonshëm por me vlera të jashtëzakonshme.

Për këtë arsye i lexoj me kënaqësi shkrimet e tij të pasuruara edhe me fotografi të vjetra të shkëlqyera.
Në vendin tonë, fatkeqësisht, harresa shpesh është më e fortë se kujtesa. E kaluara lihet pas dore sikur të ishte një barrë e jo një pasuri. Por një popull që fshin nga kujtesa historinë e vet mbetet pa rrënjë dhe pa të ardhme. Kujtesa nuk është nostalgji; është ajo që na tregon nga vijmë, për të kuptuar më mirë se ku mund të shkojmë. Pikërisht për këtë arsye, ajo që bën Bujar Qesja ka vlerë që shkon përtej gazetarisë së përditshme: ai është kundërshtar i harresës.
Por Bujar Qesja nuk është vetëm kronist i njerëzve. Ai është edhe kronist i pasionit. Dhe pasioni i tij i madh ka qenë gjithmonë sporti, futbolli, Teuta.
Në vitet shumë të vështira pas rënies së komunizmit, ai ishte ndër ata që besuan se klubi duhej të ringrihej mbi baza të reja. Së bashku me Edmond Mihan, Bashkim Kokën dhe Stavri Nicen, tre profesionistë të ndershëm dhe të apasionuar, në kushte që sot duken të paimagjinueshme, hodhën gurët e parë të themeleve të rindërtimit të klubit. Në këtë proces u organizua edhe asambleja e parë e pavarur e klubit, dëshmitar i së cilës jam edhe unë, si përfaqësues i FSHF-së. Ishte periudha e kalimit nga SK Lokomotiva në KF Teuta, një moment i rëndësishëm jo vetëm për klubin por për vetë qytetin.

Ajo që pasoi ishte një histori e bukur e ndërtuar me punë dhe përkushtim. Teuta u shndërrua gradualisht në një model serioz organizimi, veçanërisht gjatë periudhës së sponsorizimit nga Abdurrahim Sulimani (Xhimi) dhe kompania “Adria” e përfaqësuar nga i ndjeri Kujtim Hysenajn. Ishte një kohë kur klubi kishte vizion, strukturë dhe identitet.
Skuadra e asaj periudhe ishte thellësisht durrsake. Mbi 90 për qind e futbollistëve ishin djem të qytetit. Asnjë futbollist i huaj. Trajnerët Edmond Miha dhe Bashkim Koka i kishin rritur këta djem që fëmijë. Shumë prej tyre arritën të veshin fanellën e Kombëtares. Ishte një ekip, i drejtuar në fushë nga kapiteni legjendar Ardian Abazi. Ata nuk luanin vetëm për pikë por edhe për qytetin e tyre, kishin një ndjenjë të theksuar përkatësie.
Nën drejtimin e një tjetër emri të madh të futbollit durrsak, Haxhi Ballgjini, në sezonin 1993–1994 Teuta fitoi për herë të parë Kampionatin Kombëtar. Një vit më pas, në sezonin 1994–1995, fituan edhe Kupën e Shqipërisë. Për disa sezone radhazi ishte pretendente serioze për titull, ne një periudhë kur Kampionati Kombëtar kishte shumë rivalitet.
Në sezonin 1995–1996 luajti dy ndeshje dinjitoze në Kupën e Kupave të UEFA-s kundër Parmës së famshme pasi kishte eliminuar më parë ekipin finlandez TPS Turku.

Duke marrë parasysh të gjithë përbërësit: futbollistët vendas, stafin teknik vendas, tifozët, nivelin e drejtuesve të Klubit dhe nivelin e lojës, për mendimin tim ajo Teutë është klubi dhe ekipi më i mirë i 35 viteve të fundit në Shqipëri. Ishte modeli që futbolli shqiptar duhej të kishte ndjekur. Fatkeqësisht…nuk u ndoq.
Teuta i solli kampionatit kombëtar të futbollit cilësi, konkurrencë dhe emocion. Falë tifozëve të zjarrtë durrsakë, që e ndiqnin ekipin kudo, kampionati u bë më i bukur. Dhe mbi të gjitha, ndeshjet në Durrës mbeten të paharrueshme. Stadiumi “Niko Dovana” mbushej si rrallëherë më parë.
Dhe pikërisht këtu shfaqet sërish Bujar Qesja. Ai nuk u shkëput kurrë nga klubi i tij. Me transmetimet plot emocion nga kabina e stadiumit “Niko Dovana”, ai u bë zëri i pasionit të qytetit, kronisti i sukseseve, dëshmitari i një epoke të arte jo vetëm si gazetar por si pjesëtar aktiv i asaj historie të bukur.
Por as kjo nuk i mjaftoi Bujarit. Ai mori përsipër një mision edhe më të vështirë: krijimin e gazetës “Teuta Sport”, dedikuar ekipit të zemrës. Në një vend ku mungesa e kujtesës është plagë kronike, ai deshi që këto arritje të mos mbuloheshin nga pluhuri i kohës. E përjavshmja, që nisi botimin në vitin 1994, arriti shpejt një tirazh prej disa mijëra kopjesh. Dhe ai ishte gjithçka: gazetar, botues, redaktor dhe shpërndarës. Ngrihej herët në mëngjes dhe e shpërndante gazetën me biçikletë. A mund të imagjinohet sot një nismë e tillë? Ky ishte futbolli i fillimit të viteve ’90: sakrificë, përkushtim, pasion. Dhe Bujar Qesja i kishte të gjitha me tepri.
Ajo që ai ka bërë dhe vazhdon të bëjë nuk është vetëm gazetari. Është shërbim. Është ruajtje e kujtesës. Është dashuri për Durrësin dhe për njerëzit e tij. Për futbollin, për Teutën, për atë brez që jetoi, punoi dhe ëndërroi në kohë shumë të vështira.

Sepse pa njerëz si Bujar Qesja, historia e klubit por edhe e qytetit do të ishte më e varfër. Klubi, futbolli, qyteti nuk duhet t’i harrojnë kurrë njerëz të tillë. Njerëz që nuk kërkuan asgjë për vete por dhanë gjithçka që kishin.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Saranda në hartën e kroçierave, mbërrin “Sapphire Princess” me 2700 turistë

SARANDË /Albania Express News/Në orët e para të mëngjesit,...

Ajshel Zykollari, ylli i ri nga Elbasani që shkëlqeu në “Urta Fest Junior”

Një mbrëmje e mbushur me emocion, dritë dhe ëndrra...

Bashkia Elbasan reagon ndaj aludimeve për kaos financiar: Faktet dhe e vërteta mbi raportin e KLSH

Bashkia Elbasan ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik në...

Më 9 prill festivali “Roma Romale-Roskovec 2026”, edicioni që ngre në piedestal kulturën rome

ROSKOVEC /Albania Express News /Festivali “Roma Romale 2026” rikthehet...