Në një atmosferë miqësore dhe mjaft domethënëse, mes dashamirësve të librit, përfaqësuesve të komunitetit çam, ish-të përndjekurve politikë dhe personaliteteve të jetës publike, gazetari dhe publicisti Hyqmet Zane promovoi librin e tij më të ri me titull “Çamëria, heshtja që vret”, një vepër publicistike e cila i kushtohet çështjes çame dhe dramës së një prej krahinave më të vuajtura të historisë shqiptare.
Libri përmbledh shkrime të autorit të realizuara gjatë periudhës 2020–2025 dhe vjen si një thirrje e fortë për të mos harruar të shkuarën, për të mos heshtur ndaj padrejtësive dhe për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive për Çamërinë.
Në fjalën e tij autori theksoi se kjo vepër është një dedikim për kauzën e madhe kombëtare të Çamërisë, një çështje që, sipas tij, nuk mund të lihet në harresë dhe kërkon përfshirje të drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore shqiptare.
Z.Zane pohon se “Çamëria, heshtja që vret” ka një mesazh shumë domethënës.
Në panelin e të ftuarve për të diskutuar mbi librin morën pjesë prof. Emine Sadiku, diplomati Leonard Demi dhe personalitete të tjera që vlerësuan qasjen e guximshme të autorit dhe mesazhin e qartë që përçon vepra.