Fshati Spathar i Librazhdit në prag katastrofe: shtëpi të çara nga rrëshqitjet, toka dhe masive me arrorë të shkatërruara, drama e banorëve që refuzojnë të largohen

Që prej mesjavës së kaluar, fshati Spathar, në Njësinë Administrative Qendër të Bashkisë Librazhd, po përjeton orë të vështira dhe të mbushura me ankth. Rrëshkitja masive e tokës, e cila vijon ende aktive, ka krijuar një situatë kritike për dhjetëra familje, duke vënë në rrezik serioz jetën, banesat dhe burimin e tyre të vetëm të jetesës.

Banorët e fshatit Spathar tregojnë se çdo ditë dhe çdo natë po kalojnë “orë tmerri”, teksa toka nën këmbët e tyre vijon të lëvizë. Çarje të mëdha janë hapur në sipërfaqe, ndërsa zhurma e dheut që rrëshqet është kthyer në një sinjal frike të përhershme.

“Çdo mëngjes zgjohemi dhe shohim se toka ka ecur edhe më shumë. Nuk kemi qetësi as ditën, as natën”, rrëfen një banor, ndërsa tregon shtëpinë e tij të plasaritur.

Situata u përkeqësua ndjeshëm të shtunën, kur, sipas të dhënave paraprake nga terreni, rrëshqitjet e para u vunë re rreth orës 14:30. Pas rreth një ore, fenomeni u riaktivizua, duke zhvendosur sipërfaqe të mëdha toke, ndërsa në orët e vona të pasdites rrëshqitja u përshkallëzua edhe më tej. Një bllok i tërë banimi u përfshi nga lëvizja e dheut, duke shkaktuar dëmtime të lehta në dhjetëra shtëpi dhe dëmtime të rënda në shtatë banesa, të cilat tashmë konsiderohen të pabanueshme.

Rrëshqitjet kanë prekur më së shumti Lagjen Hoxha, si edhe zonën ku dikur ndodhej depoja e furnizimit me ujë të qytetit të Librazhdit, duke rritur ndjeshëm rrezikun jo vetëm për banorët, por edhe për infrastrukturën përreth.

Pasojat ekonomike janë po aq të rënda sa edhe ato sociale. Aktualisht, disa hektarë tokë bujqësore janë shkatërruar plotësisht, përfshirë sipërfaqe të tëra me arrorë, që për shumë familje përbënin bazën e të ardhurave.

“Na u shkatërrua gjithçka për të cilën kemi punuar me vite”, shprehen banorët, të cilët shohin me dhimbje tokat e tyre të përpira nga rrëshqitja.

Emergjencat Civile dhe Bashkia e Librazhdit kanë ndërhyrë në zonë dhe u kanë kërkuar, madje urdhëruar, familjeve që të braktisin menjëherë banesat e dëmtuara për shkak të rrezikut të lartë. Sipas banorëve, zyrtarët e emergjencave, përfaqësues të Bashkisë së Librazhdit, si edhe deputeti Olsi Komici, u kanë bërë thirrje të largohen menjëherë, duke i siguruar se do të sistemohen në banesa me qira dhe se pagesa për një periudhë njëvjeçare do të mbulohet nga bashkia.

Megjithatë, pavarësisht thirrjeve dhe rrezikut real për jetën, shumë familje ende nuk janë larguar. Arsyeja është dramatike: nuk gjejnë banesa me qira dhe nuk kanë ku të dërgojnë bagëtitë.

“Ato janë gjithçka që kemi. Janë buka e fëmijëve tanë. Nëse largohemi dhe i lëmë, humbasim gjithçka”, tregojnë banorët, të cilët ndihen të bllokuar mes frikës për jetën dhe nevojës për të mbijetuar ekonomikisht.

Sipas dëshmive, rrëshqitja e tokës po përpin dalëngadalë pjesën më të madhe të fshatit Spathar, duke e bërë situatën edhe më alarmante nga dita në ditë. Kjo nuk është hera e parë që zona përballet me fenomene të tilla, pasi edhe vite më parë janë regjistruar rrëshqitje masive, çka e bën Spatharin një zonë problematike nga pikëpamja gjeologjike.

Autoritetet vendore janë në ndjekje të situatës dhe pritet një vlerësim i plotë i dëmeve, si dhe marrja e masave për garantimin e sigurisë së banorëve. Ndërkohë, Spathari mbetet një fshat në prag të zhdukjes, ku banorët jetojnë mes urdhrit për t’u larguar dhe pamundësisë për ta bërë këtë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe zgjidhje të qëndrueshme, përpara se toka të marrë me vete gjithçka.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME