Nga Fatmir Popja
Një mbrëmje plot emocion, art dhe dashuri për natyrën ka mbuluar fundjavën qytetin e Librazhdit, ku fotografi i njohur kosovar i botës së egër, Arian Mavriqi, hapi ekspozitën e tij mahnitëse, duke sjellë për herë të parë në këtë qytet një udhëtim të rrallë nëpër botën e shpendëve, kafshëve dhe peizazheve shqiptare.
Ekspozita u prit me interes të jashtëzakonshëm nga qytetarët dhe artdashësit, të cilët patën mundësinë të udhëtojnë përmes objektivit të Mavriqit në vende që ndoshta nuk i kanë parë kurrë, por që janë pjesë e pasurisë sonë natyrore. Përmes fotografive të tij, fauna e egër shqiptare mori jetë, duke prekur emocionet e çdo vizitori.
“Nuk kam fjalë për mikpritjen e jashtëzakonshme që gjeta në Librazhd. Faleminderit secilit që ishte prezent për të më nderuar me praninë tuaj. Shpresoj të shihemi sërish me organizime të tjera, sepse kemi shumë plane për këtë zonë,” – u shpreh Mavriqi i emocionuar.

Nga pasioni i fëmijërisë te suksesi ndërkombëtar
Rruga e Arian Mavriqit drejt artit të fotografisë nisi si një dashuri e hershme për natyrën. Që fëmijë, ai kishte dëshirë të hulumtonte botën përreth, por mundësitë për ta dokumentuar atë nuk ekzistonin. Sot, pas më shumë se një dekade pune të përkushtuar, ai është kthyer në një ndër emrat më të spikatur të fotografisë së faunës së egër në Kosovë e më gjerë.
Fotografitë e tij janë komentuar e shpërndarë edhe nga gjigandi botëror Microsoft, çka ai e konsideron si “një sukses kombëtar dhe një nxitje të jashtëzakonshme për të ecur përpara”.
“Të vlerësohesh nga një kompani si Microsoft është ndjesi që nuk përshkruhet. Ajo foto nuk ishte vetëm një sukses personal, por një sukses i gjithë vendit tonë. Më dha forcë të vazhdoj me më shumë pasion,” – thotë Mavriqi.

Në kërkim të krijesave të padukshme
Puna e një fotografi të botës së egër kërkon durim të jashtëzakonshëm. Mavriqi rrëfen se shpesh ka pritur me orë, madje edhe me ditë, për të kapur një moment unik në natyrë.
Një ndër përjetimet më të paharrueshme për të mbetet xhirimi i skyfterit Accipiter gentilis (Gjeraqina e shkurtes), për të cilin qëndroi tri ditë në të njëjtin vend, deri sa arriti shkrepjen e parë të tillë në trojet shqiptare.
Falë përkushtimit të tij, janë zbuluar edhe specie të reja që nuk ekzistonin në të dhënat shtetërore, si Shqiponja peshkngrënëse (Pandion haliaetus) dhe Kojliku i zi, ndërkohë që shumë të tjera janë dokumentuar për herë të parë për publikun.

Fotografia që flet vetë
Për Mavriqin, çdo fotografi është një rrëfim në vetvete, një histori që nuk ka nevojë për fjalë. Ndër imazhet që e kanë bërë të njohur është ajo e kaprollit me zogun Trishtili të madh mbi shpinë, një moment i rrallë i harmonisë midis specieve, i realizuar në parkun e Blinajës.
“Shprehja ‘një fotografi vlen sa një mijë fjalë’ është e vërtetë, sepse çdo foto që ruan dashurinë, ndjesinë dhe respektin për jetën, flet vetë,” – thotë ai.

Arti që ngre vetëdijen dhe promovon turizmin
Përveç aspektit artistik, puna e Mavriqit ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e vetëdijes për mbrojtjen e natyrës dhe në promovimin e turizmit në Kosovë e Shqipëri. Pamjet e tij janë shpesh dritare të reja që u tregojnë të huajve një Kosovë të bukur, të gjallë dhe plot jetë.
“Fotot kanë ndikim të jashtëzakonshëm në perceptimin që të huajt kanë për vendin tonë. Ato i japin fund paragjykimeve dhe i tregojnë botës një anë tjetër të Kosovës dhe Shqipërisë – të pasur me faunë, natyrë dhe tradita,” – shton ai.

Sfida, pasion dhe të ardhme me plane të mëdha
Megjithë sukseset, Mavriqi nuk ndalet. Ai paralajmëron së shpejti një ekspozitë të re në Prishtinë, që do të bashkojë artdashës nga të gjitha trevat shqiptare. Qëllimi i tij mbetet i njëjtë: ta dokumentojë dhe ta promovojë natyrën shqiptare në çdo formë.
“Fotografia është burim shpirtëror i pashtershëm. Sa më shumë eksploron, aq më shumë kupton që bota nuk ndalet dhe as ne s’duhet të ndalemi.”

Një mision që frymëzon
Ekspozita në Librazhd ishte më shumë se një ngjarje kulturore, ishte një thirrje për të parë ndryshe natyrën që na rrethon, për ta mbrojtur dhe për ta çmuar.
Arian Mavriqi, me objektivin e tij, po i jep zë një bote që shpesh mbetet e heshtur: botës së egër shqiptare.


