Formacioni më i shtrenjtë i Elbasanit, në fushë zbresin 2 milionë e 525 mijë euro

Nga Vladimir Mema 

Elbasani i këtij sezoni nuk është thjesht një skuadër që pret të vijojë rrugëtimin në elitë me entuziazëm, por edhe një grup lojtarësh me peshë jo të vogël në tregun shqiptar të futbollit. Sipas faqes prestigjioze Transfermarkt.com, nëse tekniku Ivan Gvozdenoviç do të vendoste në fushë 11-shen më të shtrenjtë të mundshme, ajo do të kishte një vlerë totale prej 2 milionë e 525 mijë euro. Një shifër që jo vetëm e rendit Elbasanin mes skuadrave më të vlerësuara në Superiore, por edhe tregon se investimet e bëra këtë verë kanë qenë të menduara për të ngritur nivelin e ekipit. “Albania Express News” përpiqet të ndërtojë formacionin më të shtrenjtë të elbasanasve me skemën 3-4-3, duke iu përshtatur edhe karakteristikave të lojtarëve në fushë.

PORTA E JANAÇEK – Në rrjetën e verdhebluve, vendin e mban çeku Martin Janaçek, i vlerësuar me 200 mijë euro. Portieri është parë shpesh si “shpëtimtari” në momentet e presionit maksimal dhe çeku pritet të bëjë debutimin ndaj Flamurtarin në ndeshjen hapëse dhe të shohim aftësitë e tij në kampionatin shqiptar, duke qenë se ka ardhur vetëm këtë merkato vere tek verdheblutë.

PRAPAVIJA – Mbrojtja me tre është një miks i përvojës ndërkombëtare dhe sigurisë fizike. Në të djathtë, Bledar Lila (250 mijë euro), mbetet shembulli i lojtarit që nuk dorëzohet kurrë në dyluftime. Në qendër, Sigitas Olberkis (300 mijë euro) është shtylla e vërtetë, i fortë në duelet ajrore dhe i saktë në ndërhyrje. Në të majtë, Bruno Lulaj (200 mijë euro) garanton agresivitet dhe vendosmëri, duke qenë një mbrojtës që e njeh mirë kampionatin shqiptar.

MESFUSHA – Katërshja në mes të fushës është e ndërtuar për të kombinuar forcën me kreativitetin. Kristian Dros (250 mijë euro) shquhet për qetësinë dhe vizionin në shpërndarjen e topit. Përkrah tij, Arsen Kasa (200 mijë euro) mbulon shumë terren, duke qenë i palodhur në rikuperimin e topave. Kristi Qose (300 mijë euro) është një “bulldozer” i mesfushës, i aftë të ndalë aksionet kundërshtare dhe të lëshojë pasime të rrezikshme përpara. Në krahun tjetër, Xhonatan Lajthia (200 mijë euro) është njeriu i goditjeve të forta dhe surprizave nga distanca, pa harruar shpejtësinë në krah.

TRIOJA E GOLAVE – Në vijën e parë të sulmit, Elbasani ka tre emra që mund të bëjnë diferencën. Karim Loukili (200 mijë euro) sjell teknikë dhe imagjinatë në 1 kundër 1. Ze Gomesh (200 mijë euro) është tipiku i “gjuetarit” të golit, gjithmonë aty ku duhet në momentin e duhur, ose të paktën kështu shoresohet. Ndërkohë, Blaise Tsague (225 mijë euro) ofron fizik të hekurt dhe forcë në duelet ajrore, duke qenë një armë shtesë në goditjet standarde.

VLERA TOTALE – Kur i bashkon të gjitha këto shifra, rezulton se ky formacion arrin në 2.525.000 euro. Për një klub që vetëm dy sezone më parë ishte larg Superiores, ky është një hap i madh përpara. Kjo 11-she jo vetëm që rrit cilësinë e skuadrës në fushë, por edhe dërgon një mesazh të qartë: Elbasani nuk është rikthyer për të mbijetuar, por për të konkurruar denjësisht me më të mirët.

FORMACIONI MË I SHTRENJTË I ELBASANIT (3-4-3) VLERA – 2 MILION E 525 MIJË EURO 

PORTË: JANAÇEK (200) 

MBROJTJE: LILA (250), OLBERKIS (300), LULAJ (200) 

MESFUSHË: DROS (250), A.KASA (200), QOSE (300), LAJTHIA (200) 
SULM: LOUKILI (200), ZE GOMESH (200), TSAGUE (225) 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME