Florenc Doka, kandidati i PS për Bashkinë Cërrik, administrator i suksesshëm me mbi 24 vite përvojë në shërbim të qytetarëve

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 9 nëntorit, Partia Socialiste thuajse e ka zyrtarizuar kandidaturën e z. Florenc Doka për drejtimin e Bashkisë Cërrik. Me një karrierë të gjatë dhe të konsoliduar në administratën publike dhe pushtetin vendor, Doka përfaqëson një figurë me integritet, përvojë të thellë dhe njohje të plotë të problematikave dhe nevojave të komunitetit cërrikas.

I lindur më 8 qershor 1976 në Cërrik, banor i lagjes nr. 2, Florenc Doka është një emër i njohur për qytetin e tij, fshatrat e kësaj bashkie që ai kërkon të drejtojë, jo vetëm përmes angazhimeve të tij të vazhdueshme në jetën institucionale, por edhe për faktin se është rritur, edukuar dhe ka kontribuar për më shumë se dy dekada brenda këtij komuniteti.

Një karrierë e ndërtuar me përkushtim dhe rritje të vazhdueshme. I diplomuar për Jurisprudencë në vitin 1999 në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe me titullin Avokat të marrë në vitin 2008, z. Doka ka ndërtuar një karrierë të pasur në institucione të ndryshme të sektorit publik, që nga niveli lokal deri në drejtimin e institucioneve të sigurisë.

Aktualisht, ai mban funksionin e Zëvendës Kryetarit të Bashkisë Cërrik, i caktuar për të ushtruar kompetencat e Kryetarit, pas largimit të z. Andis Salla, i cili mori postin e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ky emërim u bë me vendim të Këshillit Bashkiak, në një moment kur bashkia kishte nevojë për një figurë me shumë vlera dhe të provuar.

Më herët, nga dhjetori 2023 deri në prill 2025, Doka ka drejtuar Institucionin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale në Peqin, ku ka treguar aftësi të jashtëzakonshme menaxheriale dhe një qasje të balancuar midis ligjshmërisë dhe të drejtave humane të të dënuarve.

Nga viti 2016 deri në 2023, ai ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Cërrik, një nga pozicionet më të rëndësishme në strukturën e një bashkie, ku është dalluar për aftësinë për të koordinuar drejtoritë, për të garantuar zbatimin e politikave publike dhe për të ndjekur zgjidhjen e problemeve me efikasitet dhe transparencë.

Ai ka mbajtur gjithashtu pozicionin e zëvendëskryetarit të Bashkisë Cërrik në periudha të mëhershme, si dhe poste të rëndësishme në sektorin ligjor, si drejtues i drejtorisë juridike dhe përgjegjës i zyrës juridike në institucione si Komuna Pajovë, IEVP Elbasan dhe DRFSDKSH Elbasan.

Njohës i administratës dhe njeri i komunitetit

Ajo që e veçon Florenc Dokën në këtë garë, përtej eksperiencës profesionale, është afërsia dhe njohja e thellë me qytetin e tij. Banor i përhershëm i Cërrikut, ai është rritur dhe ka punuar gjithë jetën e tij në këtë qytet. Shumë prej vendimeve të rëndësishme administrative të dy dekadave të fundit mbajnë vulën e angazhimit të tij profesional, qoftë në drejtimin e institucioneve, qoftë në ndihmë të qytetarëve për çështje ligjore dhe sociale.

Doka është i certifikuar në aftësi kompjuterike, zotëron patentë të tipit B dhe C, dhe flet italisht dhe anglisht, ndërkohë që kualifikimet e tij përfshijnë trajnime nga OSBE dhe institucione kombëtare për zbatimin e ligjit dhe statusin e nëpunësit civil në administratën vendore.

Një garë me sfidë, Doka një kandidat potencial dhe i konsoliduar përballë një opozite pa busull

Zgjedhjet e parakohshme në bashkinë Cërrik zhvillohen në një klimë politike të veçantë. Opozita e djathtë nuk ka ende një kandidat zyrtar, duke e lënë garën të hapur për një rikonfirmim të Partisë Socialiste. Në qarqet politike në kampin e së Djathtës përflitet emri i Briken Caljës, kampion bote në peshëngritje, si një mundësi e diskutuar brenda opozitës, por deri më tani pa një qëndrim publik nga ana e sportistit apo një vendim zyrtar nga opozita.

Ndërkohë që nga kjo mesjavë emrit të kampionit Calja i janë shtuar në tryezën e diskutimeve edhe emra të tjerë të njohur të politikës lokale, por ende asgjë nuk është zyrtarizuar.

Kjo situatë i jep përparësi mazhorancës, e cila me kandidaturën e Florenc Dokës shfaqet e organizuar dhe me një profil të qartë dhe të besueshëm për qytetarët. Bashkia Cërrik ka aktualisht rreth 38 mijë zgjedhës të regjistruar, por në zgjedhjet e fundit votuan vetëm 12 mijë qytetarë, shifër që PS synon ta rrisë me një fushatë të orientuar te rezultatet, dialogu me qytetarët dhe besimi te përvoja.

Florenc Doka, një kandidaturë që garanton stabilitet dhe zhvillim

Në një kohë kur shumë bashki vuajnë nga mungesa e profesionalizmit dhe shkëputja nga qytetarët, Florenc Doka paraqitet si një kandidat që i bashkon të dyja, ekspertizën institucionale dhe lidhjen njerëzore me komunitetin. Ai vjen si një figurë e provuar, jo vetëm në aspektin menaxherial, por edhe në aftësinë për të bashkëpunuar, për të ndërtuar ura dhe për të realizuar projekte që ndikojnë në jetën e përditshme të banorëve të Cërrikut.

Zgjedhjet e 9 nëntorit pritet të jenë një moment kyç për të ardhmen e kësaj bashkie, dhe me Florenc Dokën në garë, Partia Socialiste ofron një alternativë të sigurt, të qëndrueshme dhe të besueshme për drejtimin e qytetit.

albaniaexpress.al

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME