Flamurtari nuk është pronë private , është identiteti i Vlorës

 

Nga Ali Dederaj

Ka histori që nuk duhen prekur. Ka emra që nuk duhen përdorur për interesa personale. Dhe mbi të gjitha , ka klube që nuk janë thjesht skuadra futbolli ,por janë pjesë e shpirtit të një qyteti. Një prej tyre është Flamurtari i Vlorës.

Ajo që po ndodh prej vitesh me këtë klub legjendar nuk është thjesht një krizë sportive. Është një plagë e hapur, një degradim i vazhdueshëm që ka tronditur jo vetëm tifozët, por gjithë opinionin sportiv në Shqipëri.

Është historia e një simboli që po zbehet dita-ditës nën peshën e keqmenaxhimit, mungesës së përgjegjësisë dhe heshtjes së pajustifikueshme.

Prej vitit 2016, Flamurtari i Vlorës nuk është më ai klubi që përfaqësonte krenarinë e Vlorës. Ai është kthyer në një strukturë të paqartë , ku mungojnë standardet më bazë të drejtimit: nuk ka transparencë , nuk ka llogaridhënie dhe mbi të gjitha, nuk ka vizion.

Realiteti sot është i dhimbshëm dhe alarmant. Klubi funksionon prej vitesh pa struktura të mirëfillta drejtuese. Bilancet financiare mungojnë , ndërsa borxhet janë grumbulluar në mënyrë të pakontrolluar. Akademia zemra e çdo klubi që mendon për të ardhmen është lënë në harresë , duke prerë rrënjët e një tradite që dikur prodhonte talente dhe shpresë.

Por ndoshta ajo që dhemb më shumë nuk është vetëm gjendja e klubit , por indiferenca përreth tij. Një heshtje e gjatë dhe e rëndë, ku politika nga nivelet më të larta deri te pushteti vendor ka zgjedhur të qëndrojë spektatore , kur në fakt duhej të ishte garant i transparencës dhe i një zgjidhjeje të drejtë. Në disa raste , kjo heshtje perceptohet si bashkëpërgjegjësi.

Sa herë duhet të përsëritet e njëjta histori? Sa herë duhet të dëgjojmë të njëjtat premtime boshe që nuk mbajnë asnjë peshë? Nuk mund të pranohet më që një klub me këtë histori të mbahet peng nga interesa të ngushta personale.

Sepse Flamurtari i Vlorës nuk është një biznes privat. Nuk është një pronë që mund të përdoret sipas dëshirës së individëve. Është një simbol. Është një trashëgimi. Është identiteti i një qyteti që ka dhënë shumë për futbollin shqiptar.

Prandaj kërkesa është e qartë dhe pa kompromis:

Largimi i menjëhershëm i çdo individi që ka keqmenaxhuar dhe dëmtuar klubin.
Transparencë e plotë financiare dhe administrative.
Rikthimi i klubit te komuniteti , te tifozët, te njerëzit që e kanë mbajtur gjallë në çdo kohë.
Ndërtimi i një strukture të qëndrueshme, profesionale dhe me vizion afatgjatë.

Vlora nuk meriton një Flamurtar të rrënuar. Nuk meriton një klub të marrë peng. Nuk meriton një histori të përdorur dhe të shpërdoruar.Sepse kur bie Flamurtari, nuk bie vetëm një skuadër , bie një pjesë e krenarisë së qytetit.Dhe kjo është diçka që nuk mund dhe nuk duhet të lejohet më.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME