Kryeministri Edi Rama uroi sot Kombëtaren shqiptare për fitoren ndaj Jordanisë me rezultatin 4-2, në ndeshjen e zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau momentet e golave të shënuara nga skuadra jonë kombëtare në këtë ndeshje.
“Miqësore miqësore, po kjo Shqipëri të gëzon”, shkruan Rama.
Në minutën e 27-të Jordania shënoi me Al Rashdan, i cili përfitoi në zonë dhe goditi saktë me kokë. Pavarësisht golit të pësuar, reagimi i Shqipërisë ishte i menjëhershëm. Barazimi erdhi në minutën e 40-të, pas një inkursioni të Bajramit nga e majta, ndërsa pasimi i tij u devijua në rrjetë nga Abualnadi.
Në minutën e 64-t, Shqipëria përmbysi rezultatin me Armando Brojën, i cili u shërbye saktë nga Asllani dhe e dërgoi topin në rrjetë. Në minutën e 75-të, Arbër Hoxha realizoi një supergol, duke mposhtur portierin me një goditje spektakolare. Goli i katërt u shënua në minutën e 79-të nga Nedim Bajrami, i cili pas një pasimi të saktë nga Broja goditi bukur dhe shënoi. Jordania ngushtoi rezultatin në minutën e 90-të me Ali Olwan.