Komisioni i Disiplinës i FIFA-s ka vendosur të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 10 mijë franga zvicerane, për incidente të ndodhura jashtë stadiumit “Air Albania” gjatë ndeshjes Shqipëri – Letoni, më 9 shtator 2025, në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 2026.
FSHF bën me dije se do ta apelojë këtë vendim në instancat përkatëse të FIFA-s dhe ka nisur procedurat ligjore.
Federata u bën thirrje tifozëve që në ndeshjet e ardhshme të tregojnë qytetari dhe të mbështesin Kombëtaren pa shkaktuar situata që dëmtojnë imazhin dhe interesat e saj. Po ashtu, kërkojmë bashkëpunim të plotë nga institucionet e rendit për të siguruar që çdo sfidë të jetë një festë futbolli.
Dënimit me gjobë nuk i ka shpëtuar as rivalja direkte e grupit, Serbia. Thirrjet raciste, pankartat kundër shqiptarëve dhe dhuna në tribunat e stadiumit “Rajko Mitic” në Beograd gjatë humbjes 0-5 kundër Anglisë më 9 shtator, i kanë kushtuar Federatës Serbe të Futbollit një gjobë prej 80 mijë frangash zvicerane (85 mijë euro), si edhe zhvillimin e ndeshjes së radhës (ajo kundër Shqipërisë) me 20 për qind të stadiumit të reduktuar.