Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skampa 2025” — një zgjerim i kufijve të artit dhe mendimit

Nga Fatmir Popja

Nga data 2 deri më 6 tetor 2025, qyteti i Elbasanit dhe Tirana kthehen në epiqendrën e artit skenik ndërkombëtar përmes edicionit të 27-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Kontemporan “Skampa”, i cili këtë vit mban titullin “EXTENSION” (Zgjerim).

Ky festival, tashmë i konsoliduar si një prej ngjarjeve më të rëndësishme teatrore në rajon, vjen me një shtrirje të re gjeografike dhe konceptuale, duke përfshirë stile dhe forma inovative të teatrit bashkëkohor nga e gjithë bota. 11 shfaqje teatrale, të sjella nga 9 trupa ndërkombëtare, do të performojnë gjatë pesë ditëve intensive të festivalit.

Programi i Ditës së Parë, 2 tetor 2025, përmban:

  1. “Cikli i Jetës” — një performancë për fëmijët, por me mesazhe universale, që do të zhvillohet te Qendra Rinore “Riemar”, Elbasan. Konkuruese do të jetë Trupa e Teatrit Shtetëror të Ankarasë & Stambollit.

Hapja e festivalit nis me një shfaqje dedikuar fëmijëve, e titulluar “Cikli i Jetës”, e cila është një performancë vizuale dhe shqisore që eksploron kuptimin e kohës dhe ritmit jetësor përmes lëvizjeve rrethore. E krijuar posaçërisht për moshat e vogla, kjo vepër fton të vegjlit në një udhëtim poetik mbi krijimin e botës, duke nënvizuar idenë e fillimit dhe përfundimit si pjesë e të njëjtit cikël.

  1. “Medea–Material” — një ndërthurje e mitit dhe modernitetit.

Mbrëmja teatrore do të ngjisë në skenën e Teatrit “Skampa” veprën e fuqishme “Medea–Material” të autorit gjerman Heiner Müller. Një vepër postmoderne që ndërthur mitologjinë klasike me reflektime të thella mbi identitetin, kujtesën dhe dhimbjen, përmes një interpretimi poetik dhe vizual të lartë. Kjo shfaqje, e sjellë për herë të parë në gjuhën turke, në një bashkëpunim të jashtëzakonshëm mes dy teatrove shtetërore të Ankarasë dhe Stambollit, është dëshmi e fuqisë që ka teatri për të provokuar, sfiduar dhe zgjeruar përjetimin artistik.

“Skampa 2025” mirëpret trupa nga Turqia, Greqia, Kosova, Lituania, Serbia dhe Shqipëria, duke e kthyer këtë festival në një pikëtakim të kulturave dhe formave të reja të shprehjes skenike.

Në krah të shfaqjeve, festivali do të ofrojë:

  • Workshope ndërkombëtare me artistë dhe regjisorë të mirënjohur;
  • Ekspozita fotografike kushtuar historisë së teatrit dhe përjetimeve të tij bashkëkohore;
  • Promovime librash dhe diskutime rreth vlerave të teatrit si formë e reflektimit social dhe estetik.

Adonis Filipi, Drejtori Artistik i Festivalit, shprehet:

Ky edicion është një ftesë për të zgjeruar kufijtë tanë të të menduarit, të ndjenjës dhe të përjetimit të artit. Arti i gjallë mbetet forca më e madhe për të reflektuar mbi botën tonë të ndërlikuar dhe për të na lidhur me njëri-tjetrin. Kohë e teatrit…” 

Festivali “Skampa 2025” zhvillohet me mbështetjen e:

  • Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI);
  • Bashkisë së Elbasanit;
  • Qendrës së Artit Elbasan;
  • Ambasadës Greke në Shqipëri;
  • Universitetit të Arteve;
  • Teatrit “Metropol”;
  • Qendrës Kulturore Tiranë;
    dhe partnerëve të tjerë kulturorë. 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME