Nga Fatmir Popja
Në datat 29 dhe 30 gusht 2025, në një nga lëndinat më të bukura panoramike të Parkut Kombëtar të Shebenikut, rikthehet për të dytin vit rradhazi Festivali i Yjeve, një ngjarje që tashmë po kthehet në traditë dhe simbol të promovimit të turizmit malor në Shqipëri.
Ky spektakël i jashtëzakonshëm organizohet nga Bashkia Librazhd me mbështetjen e dhjetëra vullnetarëve dhe dashamirës të natyrës dhe kulturës. Këtë vit pritet një pjesëmarrje rekord nga të gjitha moshat, jo vetëm nga zona të Librazhdit dhe Qarkut të Elbasanit, por edhe nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit.
Festivali i Yjeve nuk është thjesht një ngjarje muzikore apo artistike, por një eksperiencë e plotë nën qiellin e hapur. Të pranishmit do kenë mundësi të eksplorojnë qiellin e natës si kurrë më parë, vrojtime me teleskop, diskutime me ekspertë të astronomisë, kamping gjigand nën yje, astrofotografi, muzikë live, tregime e legjenda përreth zjarrit, dhe shumë aktivitete të tjera që e bëjnë këtë event të paharrueshëm.
Në skenën e Festivalit këtë vit do performojnë emra të njohur të muzikës shqiptare dhe rajonale si Eneida Tarifa, grupi legjendar Elita 5 dhe artistë të tjerë të cilët do ndezin atmosferën deri në agim.
Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha me thirrjen: “Bashkohuni me ne për magjinë e yjeve”, thekson rëndësinë e promovimit të destinacioneve turistike dhe zhvillimin e turizmit malor si një prioritet strategjik për bashkinë e Librazhdit. Në mesin e pjesëmarrësve në Festivalin e Yjeve nuk do mungojnë as turistët e huaj dhe përfaqësues të disa prej ambasadave me seli në Tiranë, si dhe shumë vizitorë të tjerë që do përjetojnë një natë të paharrueshme, larg stresit të përditshmërisë, në një natyrë që të magjeps.
Festivali i Yjeve është më shumë se një event, është një thirrje për të njohur më mirë natyrën tonë, për të jetuar momente të gëzueshme dhe për të rigjetur lidhjen me vlerat e thjeshta e të vërteta të jetës. Një festë për sytë, shpirtin dhe mendjen, në zemër të Shebenikut.