Nga Fatmir Popja
Për të dytin vit radhazi, në një nga luginat më të bukura të Fushë-Studës, në Njësinë Administrative Steblevë të Bashkisë Librazhd, u zhvillua një nga ngjarjet më të rralla dhe më magjepsëse të verës, “Festivali i Yjeve”.
Mes gjelbërimit, freskisë dhe qetësisë që vetëm malet mund të ofrojnë, mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni, por edhe turistë të huaj, u mblodhën në këtë oaz natyror për të përjetuar një përvojë të pazakontë nën dritën e yjeve.
Ky spektakël i jashtëzakonshëm në natyrë, që tashmë po kthehet në një traditë të dashur dhe simbol të promovimit të turizmit malor, e ktheu Fushë-Studën në një skenë të gjallë të artit, kulturës dhe eksplorimit astronomik.
“Festivali i Yjeve” është një përvojë shpirtërore, një festë e madhe nën qiellin e hapur, ku muzika, shkenca dhe natyra gërshetohen në mënyrë të përsosur.
Qytetarë nga Librazhdi, Elbasani, Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora, Korça, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, iu bashkuan kësaj ngjarjeje që kapërcen kufijtë e një eventi kulturor, duke u kthyer në një thirrje për të rigjetur lidhjen me natyrën dhe për të festuar si askund tjetër.
Në natën e parë të festivalit, skena u ndez nga performancat e artistëve të njohur shqiptarë dhe rajonalë që kulmuan me grupin legjendar “Elita 5”, që krijoi një atmosferë të paharrueshme deri në agim.
Muzika live u shoqërua me kamping nën yje, vrojtime me teleskop, sesione të astronomisë, tregime rreth zjarrit dhe aktivitete për të gjitha moshat.Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, duke përshëndetur pjesëmarrësit në “Festivalin e Yjeve” në Fushë Studen, theksoi rëndësinë e promovimit të turizmit malor si një prioritet strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës së Librazhdit.
Ai bëri një panoramë të investimeve të shumta të realizuara në këtë bashki dhe veçanërisht atyre të realizuara në fshatin turistik Fushë Studen dhe në të gjithë Njësinë Administrave Steblevë.
Disha falënderoi publikisht Qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama për
investimin e ri strategjik, rrugën e re Bulqizë–Librazhd (Ura e Çerenecit–Zgosht) e cila ka krijuar një korridor të ri lindor, duke sjellë më afër vizitorëve pasuritë natyrore dhe kulturore të kësaj zone të mrekullueshme.
Ndërkaq, kryetari i bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, edhe njëherë bëri thirrje që të kushdo që do të investojë në tokën e të parëve të aplikojë te “Paketa e Maleve”, për t’i dhënë vetes një mundësi për investime në zonat malore, një mundësi kjo e ofruar për të gjithë të interesuarit, qofshin emigrantë apo rezidentë, të cilët kanë dëshirën dhe vizionin për të ndërtuar në tokën e tyre.
Kryebashkiaku i Librazhdit garantoi se mbështetja për të gjithë ata që do investojnë në industrinë e turizmit malor do jetë e jashtëzakonshme nga pushteti vendor. “Pjesëmarrja rekord e juaja në “Festivalin e Yjeve” dhe entuziazmi i madh që mbizotëron te të gjithë dëshmon qartë se sa rëndësi ka zhvillimi i turizmit malor. “Festivali i Yjeve” po bëhet një markë e vërtetë e turizmit elitar dhe alternativ në Shqipëri dhe kjo e përligj entuziazmin tonë dhe besojmë se suksesi do jetë i garantuar. Librazhdi me destinacionet e shumta turistike malore do jetë nga grupet turistike vendase e të huaja nga më të preferuarit sepse ofron gjithçka ata kërkojnë”.
Në “Festivalin e Yjeve” nuk munguan as përfaqësues të ambasadave me seli në Tiranë, të cilët përjetuan nga afër këtë përvojë të paharrueshme. Ky festival është më shumë se një natë muzikore është një udhëtim drejt qetësisë së natyrës, një ftesë për të zbuluar yjet dhe për të jetuar emocione të pastra.
Nata e dytë e “Festivalit të Yjeve” do të zhvillohet mbrëmjen e kësaj të shtune, ku pritet një tjetër spektakël me pjesëmarrjen e yjeve të muzikës popullore dhe asaj të lehtë shqiptare, përfshirë edhe këngëtaren e dashur Eneida Tarifa, që do ndezë sërish zemrat e publikut nën dritën e yjeve.