Nga Artin Halili
Pogradeci ka mirëpritur për të dytin vit radhazi Festivalin e Koranit, një ngjarje që ndërthur mrekullisht natyrën, kuzhinën dhe kulturën vendase. Festivali përkon me periudhën më të rëndësishme për liqenin e Ohrit, hedhjen e rasatit të ri të koranit, një specie e rrallë dhe endemike, simbol i qytetit dhe i pasurisë natyrore të Shqipërisë.
Sipas Organizatës së Peshkimit në Pogradec, këtë vit pritet që liqeni të pasurohet me rreth 2 milionë rasatë të rinj, si pjesë e një pune shumëvjeçare që po jep rezultat. “Kjo është një ndër arritjet më të mëdha për mbrojtjen e koranit. Sot, nuk rrezikon më zhdukjen”, deklaroi Martin Jaçe, përfaqësues i organizatës. Por festivali nuk ndalet te aspekti ekologjik,ai është edhe një festë për shijet tradicionale. Sheshet e qytetit u kthyen në një panair aromash, ku tavat e koranit, të përgatitura nga shefat pogradecarë, ishin protagonistët absolutë.
“Turistët kërkojnë të parën tavën tradicionale të koranit. E gatuajmë me shumë dashuri, sepse është historia jonë në një pjatë”, u shprehën shefat e kuzhinës, mes tyre Arian Cenkollari, i njohur për përkushtimin ndaj recetave autentike.
Turistët e huaj nuk munguan as në këtë festival. Natalia Volkova, një turiste nga Rusia, u shpreh entuziaste: “Ky është udhëtimi im i dytë në Pogradec. Nuk e dinim që do kishte festival, por jemi të mahnitur. Kuzhina është e shkëlqyer dhe peshku koran është fantastik”!
Onofrio Kampobello, një vizitor italian, shton: “Korani është një peshk i lehtë, i tretshëm dhe shumë i vlerësuar. Më ka befasuar kombinimi i recetave këtu”.
Një nga pikat kulmore të festivalit ishte prezenca e Master Chef-it shqiptar, Arian Cekaj, i cili vlerësoi nivelin e gatimeve, por theksoi se “më shumë se sa të shtojmë receta, duhet të rafinojmë ato që kemi”. Ai gjithashtu zbuloi për herë të parë një ëmbëlsirë me qumësht gomarice, që gatuhet vetëm në Pogradec.
Festivali u përmbyll me ndarjen e çmimeve për kuzhinierët më të dalluar dhe me një koncert festiv në Odeonin e qytetit, që mblodhi mijëra qytetarë dhe pushues. Festivali i Koranit është më shumë se një ngjarje gastronomike,është një mision për të ruajtur një pjesë të çmuar të natyrës dhe traditës shqiptare, duke e kthyer Pogradecin në një destinacion unik ku shija dhe mjedisi bashkohen në harmoni.
Ky festival po kthehet në një traditë të rëndësishme jo vetëm për banorët lokalë, por edhe për turistët që kërkojnë përvojë autentike dhe lidhje me natyrën. Pasurimi i liqenit me rasat e koranit jo vetëm që mbron një specie të rrallë, por garanton edhe cilësinë e peshkut që shkon në tavën e çdo restoranti.
Investimi në ruajtjen e biodiversitetit të liqenit të Ohrit është një model suksesi që vjen falë bashkëpunimit mes komunitetit, shkencëtarëve dhe autoriteteve lokale, duke treguar se zhvillimi turistik mund të shoqërohet me mbrojtjen e ambientit.
Pogradeci, me bukuritë natyrore dhe traditat e tij të pasura, po shndërrohet në një destinacion që ofron më shumë se plazhet dhe liqenin; ai sjell histori, shije dhe kultura të gjalla që duhet eksploruar nga çdo vizitor.
Në vitet që vijnë, pritet që festivali të rritet dhe të bëhet më i madh, duke përfshirë më shumë ngjarje kulturore, workshop-e gatimi dhe aktivitete për familjet dhe fëmijët, duke i dhënë një dimension edhe më të gjerë zhvillimit të turizmit në rajon.
Në këtë mënyrë, Festivali i Koranit në Pogradec do të mbetet një pikë referimi për ata që duan të njohin thellësisht shpirtin e Shqipërisë, përmes një peshku unik dhe një tradite që bashkon të gjithë përreth tryezës.