Festivali i futbollit në “Shtëpinë e Futbollit”, Čeferin dhe Figo bashkë me fëmijët shqiptarë

Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” u zhvillua sot festivali i futbollit, pjesë e aktivitetit “Futbolli në Shkolla” të UEFA-s. Në këtë event morën pjesë Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, si edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Në ceremoninë hapëse ishin të pranishëm ambasadorët e UEFA-s, legjendat Luís Figo dhe Aljoša Asanović, ambasadori i FSHF-së për këtë event Jahmir Hyka, ish-lojtarë dhe personalitete vendase. Atmosfera festive u gjallërua nga fëmijë e prindër të shkollave lokale që morën pjesë aktivisht.

Pas mbërritjes së delegacionit, fëmijët krijuan një korridor mikpritjeje për Presidentin Čeferin dhe Presidentin Duka. Më pas, aktiviteti kulmoi me një ndeshje simbolike ku në fushë zbritën Čeferin, Figo, Asanović, trajneri i Shqipërisë Silvinjo, ndihmësit e tij Zabaleta dhe Doriva, Hyka dhe fëmijët pjesëmarrës. Ndeshja përcolli mesazhin se futbolli është për të gjithë, pa dallim.

Në përfundim, Presidenti i UEFA-s Aleksander Čeferin dhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhanë deklarata për mediat shqiptare, duke e cilësuar aktivitetin një ogur të mirë për mbledhjen historike të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që do të zhvillohet në Tiranë.

Në fjalën e tij përpara mediave shqiptare, Presidenti i UEFA-s nënvizoi se futbolli duhet t’i bashkojë njerëzit dhe jo t’i përçajë. Ai theksoi se duhet të qëndrojnë larg futbollit njerëzit që e përdorin këtë lojë për të përhapur idetë e tyre të kota. “Mesazhi im , jo vetëm për një ndeshje të caktuar, por për të gjithë është se futbolli dhe sporti duhet të jenë gjëja që bashkon njerëzit dhe jo që i përçan. Ne duhet të përpiqemi të largojmë këta ‘idiotë’ që e përdorin futbollin për ideologjitë e tyre absurde. Kudo, jo vetëm në një vend, por në të gjitha vendet. Sepse këta njerëz nuk e duan futbollin. Ata duan vetëm veten e tyre dhe e shfrytëzojnë futbollin për të përhapur idetë e tyre të kota”.

I pyetur se pse pritën kaq gjatë për të zhvilluar mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë, kreu i qeverisë së futbollit europian tha: “Nuk na mori shumë kohë. Mendoj se kjo është mbledhja e tretë ose e katërt që bëjmë jashtë Zvicrës. Çdo shtator ne shkojmë në vende të ndryshme. Mendoj se keni një medalje bronzi tani dhe kjo është diçka shumë e mirë”.

Presidenti Ceferin vlerësoi infrastrukturën e futbollit në Shqipëri, veçanërisht stadiumin kombëtar. Sa i përket projekteve që UEFA ka për Shqipërinë, ai tha se duhet folur me Presidentin Duka dhe për momentin nuk mund të flasë për diçka konkrete. “Duhet të flisni me Presidentin e FSHF-së për këtë. Por infrastruktura juaj dhe veçanërisht stadiumi kombëtar është shumë i bukur. Mund të organizojmë diçka këtu, por për momentin nuk do të ishte e drejtë nga ana ime të flisja për diçka konkrete. Nga njëra anë, ka një proces aplikimi dhe nga ana tjetër, aktualisht nuk e di. Di vetëm që keni infrastruktura është shumë e mirë dhe kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Armandin, gjë që ndihmon shumë”. 

Në fund, shefi i futbollit europian dha edhe një këshillë për lojtarët e rinj në të gjithë Europën dhe nënvizoi se ata duhet të qëndrojnë sa më gjatë në kampionatet vendase. “Do t’u jepja një këshillë të gjithë lojtarëve të rinj, jo vetëm në Shqipëri. Të punojnë, të punojnë dhe të punojnë. U them të qëndrojnë sa më gjatë në kampionatet vendase sepse është më e lehtë ta provosh veten në një ligë vendase dhe më pas të shkosh jashtë. Shumë lojtarë gabojnë kur largohen në moshën 16-17 vjeçare në klube të mëdha dhe në fund karriera e tyre përfundon para kohe. Prandaj ata duhet të shijojnë futbollin dhe të stërviten sa më shumë”.

Presidenti Duka e nisi prononcimin me një falënderim të veçantë për Presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar e cilësoi këtë moment historik si një vlerësim i punës së madhe të bërë nga komuniteti i futbollit në vend për zhvillimin e futbollit në Shqipëri.

“Do të doja të falënderoja publikisht Presidentin e UEFA-s, z. Aleksander Čeferin, për vendimin që mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të bëhet në Tiranë. Ky është një vlerësim jo vetëm për Federatën e Futbollit, por për të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar. Një vlerësim i bashkëpunimit të Federatës së Futbollit me UEFA-n dhe respekt i punës së komunitetit të futbollit shqiptar. Nuk është thjesht një mbledhje, është një event duke përfshirë edhe aktivitetin e sotëm, festivalin e futbollit ku besoj se në memorien e fëmijëve do të mbetet gjatë dhe do të jetë një objektiv më shumë për t’iu bashkuar lojës tonë”, – tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Operacion blic në Elbasan: Arrestohen eksponentë të njohur të botës së krimit

Një operacion i befasishëm i policisë është zhvilluar gjatë...

Elbasani, qarku i parë në Shqipëri që ndalon përdorimin e monopatinave elektrike – masa të reja për sigurinë rrugore

Përdorimi i monopatinave elektrike tashmë është zyrtarisht i ndaluar...