Kombëtarja shqiptare zhvilloi pasditen e sotme seancën e radhës stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, në përgatitje për dy ndeshjet miqësore ndaj Serbisë dhe Jordanisë.
Departamenti i Komunikimit në FSHF njofton se lojtarët ishin të gjithë në dispozicion të trajnerit Silvinjo dhe kryen ngarkesën e plotë stërvitore. Enea Mihaj, i cili iu bashkua ekipit sot, stërviti veçmas për të menaxhuar gradualisht ngarkesën.
Seanca nisi me punë në palestër dhe më pas trajneri Silvinjo, së bashku me ekipin, punoi mbi situata të ndryshme loje dhe elementë taktike, duke përgatitur skuadrën në çdo aspekt të performancës.
Sipas vendimit të trajnerit, për këto dy ndeshje është ftuar edhe mesfushori Nazmi Gripshi, si zëvendësim për Adrion Pajazitin, i cili është i dëmtuar. Gripshi do të bashkohet me ekipin gjatë ditës së mërkurë dhe do të jetë i gatshëm për të luajtur ndaj Serbisë dhe Jordanisë.