Eliverta Zera kardiologia që i flet zemrës me buzëqeshje

...Ju nuk jeni thjesht kardiologe, por zemra e shumë zemrave. Profili i juaj në këto rradhë të shkruara, fiton më shumë vlera dhe është më i qendisur, kur bëhet i njohur bash në ditën tuaj të bekuar, 57-të vjetorin e lindjes…

Nga BUJAR QESJA. Mjeshtër i Madh

Në qytetin bregdetar, ku tingujt e valëve përzihen me zërat e njerëzve që hyjnë e dalin në spitalin e Durrësit, jeton e punon një grua, që prej më shumë se çerek shekulli ka bërë betimin e heshtur me zemrën e njeriut. Mes mureve të bardha e aparaturave të ftohta, kjo grua e brishtë në pamje, por e fortë në shpirt, ecën me hapa të shpejtë e të sigurtë. Quhet Eliverta Zera, mjeke kardiologe.

Nga babai Feriti dhe nëna Dituria, trashëgoi karakterin e fortë, kujdesin për të tjerët dhe dashurinë për të mësuar. Gëzimi nuk është vetëm për ditëlindjen e Elivertës, por edhe për rrugën e gjatë të shtruar me punë, dinjitet dhe sakrifica.

Eliverta nuk harron kurrë prejardhjen e saj. Dobërçanin, fshati i vendosur mbi kodrat e Moglicës, ka qenë gjithmonë i njohur për mikpritjen, për muzikën e ëmbël të juglindjes, për gratë me veshjet popullore shumëngjyrëshe dhe burrat me fjalë të pakta, por të rënda si gurët e malit.

Banorët e atjeshëm kanë qenë të lidhur me kishën, me festat tradicionale dhe me ndjenjë bashkësie që mbante gjallë shpirtin. Pas viteve ’90-të, shumë u shpërngulën drejt qyteteve e botës së huaj, por kujtesa e atij fshati, e peizazhit që sot e ka ndryshuar edhe hidrocentrali i Moglicës, mbetet e fortë tek Eliverta. Atje ku njerëzit shihnin në sy njëri tjetrin, Eliverta mësoi se fjala e mirë dhe buzëqeshja, janë ilaçe po aq të forta sa çdo recetë mjekësore.

Pas studimeve të larta, zgjodhi kardiologjinë jo rastësisht, por me bindjen se zemra është jo vetëm organi jetik, por edhe metafora e vetë jetës. Prej vitit 1997, kur hyri për herë të parë në repartin e kardiologjisë, nuk ka reshtur së vëni në qendër njeriun, përtej aparaturave e protokolleve. Për pacientët është më shumë se mjeke. Është buzëqeshja që qetëson, është fjala që ngjall shpresë, është dora që mbështet.

Krah kolegëve Sotiraq Xhunga, Mimoza Metalla, Artur Serani, Maldina Shkjau, Esmeralda Zaçe, Eliverta ka ndërtuar profilin e profesionistes moderne. Është specializuar. Ka mbrojtur doktoraturën dhe ndjek gjithnjë dukuritë më bashkëkohore të fushës. Brenda vetes ka ruajtur thesare shpirtërore: fisnikërinë, bujarinë dhe ndjenjën njerëzore, që shfaqet sa herë futet në dhomat e pacientëve.

Kushdo që e ka parë në punë, e përshkruan njësoj: me fizik të brishtë, por me energji të pashtershme. Në orët e vona të natës, kur ndonjë pacient vinte me zemrën që i rrihte çuditshëm, Eliverta nuk tregonte lodhje. Zëri i qetë, sytë që vështronin me kujdes dhe dora e lehtë mbi supin e të sëmurit, ishin shpesh ilaçi i parë që jepte siguri.

– Doktoreshë, unë e dija që do mbaroja atë natë, por kur erdhët në dhomë dhe më thatë qetësohu, do ia dalim bashkë, zemra ime u mbush me shpresë. Jam këtu për t’ju falenderuar.

Në tjetër rast, një grua e moshuar i thotë me lot në sy:
-Kam ardhur me shumë frikë. Të gjithë flasin për ju, por nuk besoja derisa u ula përballë. Tani e di që Zoti më dërgoi tek ju.
Këto dialogje nuk janë të rralla. Mbeten pjesë e përditshmërisë së Eliverta Zera-s.

Përveç se mjeke, është bashkëshorte e Shefqet Xhemollarit dhe nënë e dy fëmijëve që e bëjnë krenare: Ertit, financier në Milano dhe Iras, endokrinologe e afirmuar. Familja është gur themeli për të, vendi ku gjen paqen dhe energjia rimbushet. Është vazhdimësi e përkushtimit ndaj dijes dhe shëndetit.

Kolegët e përshkruajnë Elivertën si “motorin e repartit”. Infermieret e duan për butësinë dhe kujdesin, ndërsa pacientët e konsiderojnë pjesë të familjes.

“Eliverta është si dritë në dhomën e spitalit,” thotë njëra prej tyre.
Kolegët e përshkruajnë si grua të fortë dhe që nuk njeh lodhje. Në mbledhje shkencore është e përpiktë, me shënime të detajuara, gjithmonë e gatshme të ndajë literaturë të re dhe artikuj nga revistat ndërkombëtare. Kjo e mban të lidhur me zhvillimet e reja të kardiologjisë.

Por më shumë se çdo gjë tjetër, Eli (shkurtim i emrit), di të bashkojë, të ulë tensionet, të vendosë ekuilibër mes mendimeve, të qetësojë edhe momentet e nxehta që sjell përditshmëria e spitalit.

Në dhomat e të sëmurëve, aty ku frika e pacientit është më e fortë se dhimbja, Eliverta hyn gjithmonë me buzëqeshje të lehtë. Nuk i ngre kurrë supet e nuk e nxiton të sëmurin. Pyet, dëgjon, merr kohën e duhur dhe shpesh fjalët e saj, qetësojnë më shumë se një injeksion. Është ky humanizëm, ky raport njerëzor, që e kanë bërë Elivertën të njohur e të dashur në Durrës.

Një mjeke nuk punon vetëm. Eliverta e di këtë dhe e vlerëson çdo bashkëpunim. Kolegët e ndjejnë gjithmonë afërsinë e saj, infermieret e shohin si shembull mirësie. “Nuk e kemi dëgjuar kurrë të ngrejë zërin edhe kur situata është e vështirë. Përkundrazi, ajo e bën të lehtë punën tonë,” shprehet një infermiere me vite në repart.

Ky respekt reciprok është nga arsyet, pse emri i saj ka fituar reputacion të veçantë. Nuk janë vetëm dijet, por edhe sjellja që e kanë bërë të krijoj opinion favorizues.

Eliverta nuk është vetëm mjeke e specializuar, me doktoraturë në kardiologji, që ndjek dukuritë më bashkëkohore të mjekësisë. Është edhe një figurë njerëzore, një mike për pacientët, një kolege që di të dëgjojë dhe të mbështesë, një nënë që ka rritur fëmijë të suksesshëm dhe një bashkëshorte që gjen ekuilibrin mes profesionit dhe familjes.

Për të, profesioni nuk është zanat i mbyllur, por proces i pandërprerë. E ndjen se shkenca ecën shpejt dhe kardiologjia është fushë ku çdo vit sjell teknika dhe zbulime të reja. Kjo e detyron të jetë vazhdimisht në tryezat shkencore. Për kolegët më të rinj është shembull, ndërsa për pacientët siguri. Shpesh e dëgjon të flasë:

-Nuk mund të mbetemi aty ku ishim. Pacienti pret prej nesh më të mirën e mundshme.

Profesioni i mjekes nuk mbeti vetëm tek Eliverta. Gjeti vazhdimësi tek vajza e saj, Ira. Ky është ndoshta kurorëzimi më i bukur i përpjekjeve të saj, të shohë tek fëmijët jo vetëm suksesin personal, por edhe përkushtimin për t’u shërbyer të tjerëve. Edhe djali, Erti, i ka dhënë familjes dimension tjetër krenarie.

Bashkëshorti Shefqet Xhemollari mbetet gjithmonë mbështetësi i saj. Marrëdhënia e tyre është e thjeshtë, e ndërtuar mbi mirëkuptim dhe respekt, duke i dhënë Elivertës mundësinë të balancojë jetën e ngarkuar profesionale me rolin e nënës dhe bashkëshortes.

Përveç spitalit, Eliverta Zera punon edhe në klinikë private, pronë e lidhur me emrat e njohur të mjekësisë, neurologët Miti dhe Stefan Vokopola. Në atë klinikë, pacientët nuk shohin vetëm muret apo aparaturat moderne, por fytyrën e një mjekeje që u jep ndjenjën e sigurisë.

Në çdo konsultë, kardiologia e njohur nuk shikon vetëm simptomat, por edhe njeriun edhe shpirtin. Di të thotë fjalën e duhur, të qeshë, të tregojë humor, që shpesh janë më të forta se çdo medikament.

-Kur takoj Elivertën, ndjej sikur kam takuar një mike të vjetër. Nuk më sheh si numër, por si njeri. Kështu rrëfen një paciente.
Mosha nuk është thjesht numër, por kapitull i udhëtimit të gjatë ku përzihen suksesi, përkushtimi dhe dashuria njerëzore. Mbetet po aq energjike, po aq e brishtë në pamje, por e fortë në thelb, siç është zemra e njeriut që ka zgjedhur ta mbrojë gjithë jetën.

Doktoreshë Eliverta, qofshin vitet që vijnë të mbushura me shëndet, me dashuri dhe me po atë buzëqeshje që i jep jetë dhomave të spitalit. I paç netët më të qeta, ditët më të bukura dhe çdo rrahje zemre që shpëton, një himn i përjetshëm për jetën. Shpresoj të ecni pa ndalesë në rrugën tënde të nderuar, në jetën e mbushur me pacientë,duke sfiduar netët pa gjumë, me libra e kërkime shkencore, me gëzime familjare e krenari profesionale.

Me punën e jashtëzakonshme dhe këmbënguljen e pa fre, rereputacioni i Eliverta Zera-s është në ngritje të pandalshme. Dhe kjo jo vetëm si mjeke, por edhe si qytetare e respektuar e Durrësit. Është krenare dhe e plotgëzueshme, kur rethohet nga respekti i kolegëve, nga pacientët që u ka shpëtuar jetën, nga familja që e adhuron.

Eliverta Zera mbetet shembull aktiv i mjekut që punon me shpirt, që rritet me profesionin dhe e sheh mjekësinë jo si punë, por si mision.

Eliverta, zemra jote do të mbetet gjithmonë udhërrëfyese për zemrat e të tjerëve. Ju keni shpëtuar dhe po shpëtoni jetë, por njëkohësisht keni dhuruar dhe po dhuroni dinjitet, shpresë dhe besim.

Ju nuk jeni thjesht kardiologe, por zemra e shumë zemrave. Profili i juaj në këto rradhë të shkruara, fiton më shumë vlera dhe është më i qendisur, kur bëhet i njohur bash në ditën tuaj të bekuar, 57-të vjetorin e lindjes.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME