Këtë të mërkurë, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mbërritur në Belfast, Irlandë e Veriut, ku do të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit.
“Sapo mbërritëm në Belfast, qytetin që e shndërroi ndasinë në dialog, përçojmë të njëjtën frymë për Ballkanin Perëndimor. Belfasti na kujton se paqja nuk trashëgohet lehtë, ajo ndërtohet ditë pas dite përmes bashkëpunimit, zhvillimit dhe integrimit. Shqipëria rolin udhëheqës në këtë proces nuk e ka fituar me retorikë, por përmes reformave, veprimit dhe besimit”, deklaroi Spiropali.
Gjatë pjesëmarrjes në këtë ministerial, ministrja do të zhvillojë takime të rëndësishme bilaterale, si dhe do të jetë folëse kryesore në disa sesione plenare që do të fokusohen mbi:
-
Sigurinë europiane dhe migrimin
-
Pajtimin dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor
-
Integrimin e rajonit drejt Bashkimit Europian
Ky Ministerial organizohet nën kujdesin e Sekretares së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, dhe është pjesë e serisë së takimeve në nivel ministror që Mbretëria e Bashkuar, si vend pritës i Procesit të Berlinit 2025, po zhvillon me tematika që përfshijnë politikën e jashtme, të brendshme dhe ekonomike.
Takimet do të kulmojnë me Samitin e Liderëve, i thirrur nga Kryeministri britanik në Londër më 22 tetor 2025, ku pritet të diskutohet mbi hapat strategjikë për zhvillimin dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.