Elis Halili u zgjodh sot kryetar i komanduar i bashkisë së Vlorës, pas dorëheqjes nga detyra të ish-kryebashkiakut Ermal Dredha.
Më herët, Halili ka mbajtur detyrën e nënkryetarit të bashkisë së Vlorës.
Në mbledhjen e këshillit bashkiak, kryetari i këshillit të qarkut Vlorë, Ervis Moçka, propozoi zyrtarisht kandidaturën e Halilit.
Zgjedhja e kryetarit të komanduar Halili u zhvillua mes debatesh, ku kryetari i Partisë Demokratike, dega Vlorë, Atird Hoxha, kundërshtoi mënyrën e procedimit, duke kërkuar që procesi të ndiqte me përpikëri rregulloren.
Halili do të kryejë të gjitha funksionet e kryetarit të komanduar deri në zgjedhjet e reja vendore.
Pas zgjedhjes si kryetar i komanduar, Halili tha se “fokusi kryesor gjatë kësaj periudhe tranzitore do jetë në zbatueshmërinë e të gjithë projekteve që e bëjnë më të mirë jetesën e të gjithë qytetarëve”.
Ish-kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha njoftoi më 11 shtator dorëheqjen e tij nga posti, të cilin e mbante prej korrikut të vitit 2013.