Elbasani – Flamurtari pritet të jetë një nga përballjet më interesante të javës së parë të Superiores. Skuadrat do të takohen të shtunën në orën 20:00 në “Elbasan Arena”, në një sfidë që premton emocione dhe rivalitet të fortë.
Verdheblutë e trajnerit Ivan Gvozdenovic synojnë ta nisin sezonin me këmbë të mbarë dhe, në shtëpinë e tyre, objektivi është vetëm fitorja. Ekipi ka punuar me qetësi gjatë fazës përgatitore dhe tani kërkon të shpërblejë tifozët me një nisje pozitive.
Klubi ka nxjerrë tashmë në shitje biletat, me çmime që variojnë nga 200 deri në 2000 lekë, një politikë e menduar për të afruar sa më shumë mbështetës në stadium. Duke qenë se çmimet janë të favorshme, në Elbasan presin një numër të lartë tifozësh për këtë sfidë delikate.
Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë, me verdheblutë që kërkojnë mbështetjen e publikut për të marrë tre pikët e para dhe për të dhënë një sinjal të qartë se do të jenë pretendentë seriozë në këtë sezon të ri të Superiores.
albaniaexpress.al

