Elbasani shpreson për një mbështetje maksimale nga ana e tifozëve ditën e sotme në “Elbasan Arena”, në sfidën ndaj Vllaznisë, një prej kundërshtarëve direkt për titullin kampion.
Klubi ka nxjerrë në shitje biletat prej dy ditësh dhe çmimet variojnë nga 200 lekë të reja, më e lira, deri në 2 mijë lekë në zonën VIP. Mësohet se ritmi i shitjes ka qenë mjaft i kënaqshëm dhe, duke u bazuar edhe te kushtet atmosferike, pasi parashikohet mot i qëndrueshëm, në Elbasan shpresojnë që sot të jenë mbi 5 mijë të pranishëm në stadium.

Ndërkohë, edhe grupet ultras kanë nisur përgatitjet prej ditësh dhe gjithçka tregon se do të jenë të shumtë në numër, duke garantuar një atmosferë të zjarrtë.
Tifozët verdheblu pritet të krijojnë një mjedis motivues për ekipin, i cili kërkon të rikthehet te fitorja në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Në klub besojnë se energjia e tribunave mund të bëjë diferencën në një duel kaq delikat. Sfida do të luhet në orën 19:00.

