Elbasani miraton “Kontratën e Qytetit për Klimën”, synon uljen me 80% të emetimeve deri në 2030

Elbasan-Albania Express News-Elbasani hedh një hap të madh drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin. Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak është miratuar Plani Strategjik “Kontrata e Qytetit për Klimën”, një dokument kyç që përcakton drejtimin që do të ndjekë qyteti në vitet e ardhshme në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Ky plan vendos një objektiv ambicioz, por të domosdoshëm: uljen me 80% të emetimeve të gazeve serrë deri në vitin 2030, duke e pozicionuar Elbasanin ndër qytetet më të angazhuara në rajon për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Një arritje e rëndësishme për qytetin është edhe përfshirja në programin prestigjioz të Bashkimit Europian “Mission Cities”, ku Elbasani bëhet qyteti i parë në Shqipëri që pranohet në këtë nismë. Ky status jo vetëm që vlerëson përpjekjet e deritanishme, por rrit edhe përgjegjësinë për të udhëhequr transformimin drejt neutralitetit klimatik.

Plani parashikon ndërhyrje të gjera në sektorë kyç si energjia, transporti, ndërtesat, menaxhimi i ujërave dhe mbetjeve, bujqësia, si dhe zgjidhje të bazuara në natyrë. Përmes këtyre masave synohet reduktimi i mbi 111 mijë tonëve CO₂ çdo vit në të gjithë territorin e bashkisë.

Autoritetet theksojnë se realizimi i këtij vizioni kërkon bashkëpunim të ngushtë mes pushtetit vendor, qeverisë qendrore, partnerëve ndërkombëtarë, biznesit dhe qytetarëve. Vetëm përmes një angazhimi të përbashkët mund të ndërtohet një Elbasan më i gjelbër, më i pastër dhe me standarde më të larta jetese për komunitetin.

Me këtë vendim, Elbasani jo vetëm që përafron politikat e tij me standardet europiane, por synon të shndërrohet në një model referimi për qytetet e tjera në Shqipëri në rrugën drejt neutralitetit klimatik.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME