Në prag të përballjes së kësaj fundjave ndaj Fieri Basket, basketbollisti i Elbasanit, Bruno Skëndaj, e cilëson këtë duel si një “finale të vogël” për verdheblutë, ku fitorja është një kusht i panegociueshëm për vazhdimësinë në Superligë.
“Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe për ne fitorja është absolutisht e domosdoshme. Jo vetëm për shkak të rivalitetit që ekziston mes dy skuadrave, por edhe për pozicionin që kemi në renditje. Një sukses ndaj Fieri Basket na jep një shans real për të qëndruar në Superligë, që është edhe objektivi ynë kryesor këtë sezon”, u shpreh Skëndaj.
Sipas basketbollistit elbasanas, skuadra ka treguar rritje dhe karakter gjatë gjithë kampionatit, pavarësisht vështirësive të hasura. “Ecuria deri tani ka qenë e mirë dhe kemi ditur të reagojmë edhe në momente të vështira. Kampionati është bërë më i fortë, kundërshtarët janë gjithnjë e më cilësorë dhe çdo javë kërkon përqendrim maksimal. Pikërisht për këtë arsye, kjo ndeshje është edhe më e rëndësishme se të tjerat dhe jemi përgatitur maksimalisht për ta kaluar me sukses”, shton ai.
Skëndaj thekson gjithashtu rëndësinë e aspektit psikologjik dhe disiplinës taktike në parket. “Do të jetë shumë e rëndësishme të ruajmë qetësinë, të zbatojmë detyrat taktike dhe të shmangim gabimet në momentet kyçe. Detajet do ta vendosin ndeshjen dhe ne duhet të jemi gati për çdo situatë”, nënvizon ai.
Në fund, vëmendja shkon te tifozët, të cilët pritet të jenë një faktor vendimtar në këtë sfidë. “Luajmë në Elbasan dhe shpresojmë për një mbështetje sa më të madhe nga tifozët tanë. Prania e tyre në pallat na jep energji, na motivon dhe na shtyn të japim edhe më shumë se maksimumi. Me ndihmën e tyre, besoj se mund ta kalojmë me sukses këtë sfidë shumë të rëndësishme”, përfundon Skëndaj.

