Me humbjen në Shkodër – të parën për këtë sezon – Elbasani ka zbritur nga vendi i parë, duke shkuar në të tretin me dy pikë diferencë nga Vllaznia dhe Egnatia, që e parakaluan në këtë fundjavë. Dy rezultatet e fundit, barazimi ndaj Teutës dhe humbja me Vllazninë, kanë zbehur disi shkëlqimin e katër javëve të para, megjithatë kjo pauzë e kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares vjen në një moment të përshtatshëm për verdheblutë, që kanë nevojë të rimarrin frymë dhe të rregullojnë detajet që nuk kanë funksionuar.
STARTI – NJË OGUR I NJOHUR
Starti i kampionatit mbetet gjithmonë një tregues i rëndësishëm për ambiciet dhe potencialin e skuadrës.
Në sezonin 2023-2024, kur luanin në Kategorinë e Parë, Elbasani grumbulloi 13 pikë në 6 javë dhe mbante vendin e dytë — një nisje që më vonë u kurorëzua me ngjitjen në Superiore si kampionë.
Një vit më pas, në sezonin e parë në elitë, verdheblutë arritën 9 pikë në 6 ndeshje dhe renditeshin të tretët. Megjithëse starti ishte pozitiv, gabimet në mes të kampionatit i privuan nga “Final 4”, duke humbur shansin në finish ndaj Partizanit.
Në këtë edicion, me 11 pikë në 6 javë, Gvozdenoviç ka arritur një mesatare të qëndrueshme dhe e mban ekipin në një pozicion të favorshëm. Dy pikë më pak se Dede në Kategorinë e Parë, por dy më shumë se Bordi në Superiore, që tregojnë progres dhe ekuilibër.
Starti i fortë mund të kthehet në ogur të mirë për objektivat sezonalë, nëse trajneri arrin të ruajë intensitetin dhe të shmangë gabimet që kushtuan një vit më parë.
PAUZA – KOHA PËR RIFRESKIM
Pas një kalendari të ngjeshur dhe disa sfidave të forta, pauza aktuale vjen në momentin e duhur. Stafi teknik e sheh këtë periudhë si mundësi për të analizuar problemet në fazën mbrojtëse dhe për të rritur efikasitetin në sulm, ku Elbasani shpesh ka humbur momentin vendimtar.
Kthimi në formë i disa titullarëve, si dhe përfshirja graduale e elementëve të rinj, pritet të japin më shumë konkurrencë dhe energji në rikthimin e kampionatit.
Nëse skuadra arrin të përforcojë pikat e dobëta, Elbasani mund të rikthehet sërish në garën për kreun, duke treguar se sezoni i ri mund të jetë më i pjekur dhe më i suksesshëm se ai pararendës.