Nga Vladimir Mema
Elbasani do të hapë sezonin e ri të Superiores me një duel që ka gjithçka për të qenë i veçantë. Në “Elbasan Arena” më 23 gusht do të zbresë Flamurtari, një nga rivalët më të njohur dhe më të vjetër të verdhebluve. Starti në shtëpi është një dhuratë e kalendarit për skuadrën e Ivan Gvozdenoviç, e cila kërkon ta shfrytëzojë maksimalisht për të nisur kampionatin me këmbën e mbarë. Tifozët elbasanas pritet të jenë të shumtë në tribuna, duke i dhënë një shtysë morale ekipit në misionin për të marrë tre pikët e para të sezonit. Ky nuk është vetëm një takim i javës së parë; është një provë karakteri. Pas një sezoni debutues në Superiore ku siguruan mbijetesën, elbasanasit tashmë kërkojnë të tregojnë se kanë fituar eksperiencë dhe se mund të konkurrojnë për objektiva më ambiciozë. Një nisje e mirë do të krijonte besimin e duhur brenda grupit dhe do të dërgonte një mesazh të qartë për rivalët.
RIVALI I VJETËR – Megjithatë, historia e afërt nuk është në favor të verdhebluve. Flamurtari është kthyer në një “macë të zezë” për Elbasanin. Në tre ndeshjet mes tyre, bilanci është i qartë: dy barazime dhe një humbje. Njëri prej atyre barazimeve ka qenë i mbushur me polemika, në kohën kur të dyja skuadrat ishin rivale të drejtpërdrejta në Kategorinë e Parë, duke lënë shije të hidhur te vlonjatët për mënyrën se si u mbyll ndeshja. Përballjet me Flamurtarin, kanë qenë gjithmonë të nxehta, të luftuara dhe të paparashikueshme. Për këtë arsye, edhe pse Elbasani luan në fushën e tij, ndeshja nuk konsiderohet aspak e lehtë. Kundërshtari vjen gjithmonë i motivuar dhe di si ta komplikojë lojën, duke e detyruar Elbasanin të japë maksimumin.
ATMOSFERA PARA STARTIT – Në kampin verdheblu, përgatitjet kanë qenë intensive. Skuadra ka zhvilluar një fazë përgatitore të ngjeshur, me ndeshje miqësore që kanë shërbyer për të testuar skemat dhe për të integruar afrimet e reja. Trajneri Gvozdenoviç ka theksuar rëndësinë e balancës mes mbrojtjes dhe sulmit. Në tribunat e “Elbasan Arenës” pritet një atmosferë e veçantë. Për tifozët, kjo është një mundësi për të treguar se mbështetja e tyre është një armë shtesë për ekipin. Flamurtari do të vijë i motivuar, por Elbasani ka të gjitha kartat në dorë për ta nisur mbarë dhe për të dhënë sinjalin e parë se ky sezon mund të ketë ngjyra më të ndritshme se i shkuari.