Elbasan zgjohu, mbroje vetveten dhe të ardhmen!

Nga Meri Qosja

Nga vendi ku dikur lindnin idetë, ku shkollat e para hapnin dyert për brezat e rinj, ku dijetarët dhe mësuesit ishin themeli i çdo ndryshimi shoqëror, sot ngrihet vetëm një re e zezë, e rëndë dhe e heshtur. Tym, erë plastike, gazra të padukshëm, këto janë “mësuesit” e rinj të Elbasanit. Në periferi të qytetit, landfilli vazhdon të digjet pa ndërprerje, si një plagë e hapur që kullon helmin mbi një shoqëri të mpirë. Ironia sarkastike e portaleve, që përshkruajnë këtë zjarr si një “raketë e gabuar iraniane”, nuk arrin të mbulojë tragjedinë reale që po ndodh. Kjo nuk është një shaka. Është një krim i heshtur mjedisor, një helmim i përditshëm, një vdekje që futet ngadalë në mushkëritë e të gjithëve, fëmijëve, të moshuarve, nënave që lajnë rrobat jashtë, fëmijëve që luajnë në oborre, mjekëve që heshtin, intelektualëve që nuk flasin.

Ku jemi sot, Elbasan?
Në qytetin që dikur mbushte sallat dhe amfiteatrot me zëra, sot mbizotëron një heshtje e frikshme. Mbi trotuaret ku dikur rridhnin debatet dhe idetë, sot shkel indiferenca. Kafenetë janë të mbushura me diskutime për motin dhe Nastradinin, ndërsa tymi helmues i Landillit përthithet nën rrëzë hundës.
Në periferi digjet një landfilli, por në qendër digjet një ndërgjegje. Dhe ndoshta kjo është më e rënda, jo tymi, por mungesa e reagimit. Jo zjarri, por akulli në shpirt.

Kjo nuk është thjesht ndotje, është një dhunim i jetës
Djegia e landfillit të Elbasanit nuk është thjesht një çështje teknike ose një dështim institucional. Është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj jetës. Ajri që thithim është i njëjtë për të gjithë, nuk pyet për adresë. Helmi që vjen nga djegia e mbetjeve prej disa ditësh nuk ndalet në dhe nuk shmang lagjen as lagjen “Qemal Stafa” dhe asnjë lagje tjetër, ai shkon kudo. Ai hyn në çdo shtëpi, në çdo qelizë të trupit, në çdo mendje që ende nuk është vetëdijësuar për rrezikun.
Dhe ndërkohë që toka e Elbasanit helmohet, toka që dikur mbillte e rriste arsimtarë dhe poetë, tani mbjell kancer, sëmundje, apati.

Pse nuk dëgjohet zëri qytetar?
Ku janë ata që dikur dolën në rrugë për një padrejtësi, për një mungesë dritash, për një vend pune? Ku janë ish studentët që brohorisnin për liri dhe demokraci ? Ku janë mësuesit që edukonin me ndershmëri? Ku janë mjekët që e dinë më mirë se kushdo rrezikun e ndotjes? Ku janë shkrimtarët, që dikur merrnin penën për të ndryshuar botën? A është vallë ky popull lodhur nga lufta? Apo më keq akoma, a është mësuar me vdekjen, aq sa tashmë ajo nuk perceptohet më si një kërcënim por si një pjesë normale e përditshmërisë?

Zgjohu, Elbasan
Zgjohu jo për të bërë politikë, jo për t’u dukur në televizion, por për të mbrojtur vetveten. Për të shpëtuar frymëmarrjen. Për të mbrojtur të ardhmen, që për momentin po digjet në heshtje, bashkë me mbeturinat dhe ndërgjegjen qytetare. Sepse kur mungon fryma, nuk ka më jetë. Dhe pa jetë, qyteti yt bëhet një gërmadhë e historisë, një kujtim që dikur ishte krenar, por që sot është thjesht një hije nën tym. Elbasani nuk është tym
Elbasani është dritë, është zë, është dije. Është krenaria e një populli që nuk është mësuar të dorëzohet. Është themeli dhe rrënja e shkollës shqipe, fryma e mendimit kritik dhe besimi se ndryshimi fillon nga një zë ,nga një hap përpara, nga një “mjaft” i artikuluar me guxim.

Mos hesht, mos rri, mos prano kurrë të keqen
Sepse nesër, kur fëmijët tanë të na pyesin: “Çfarë bëtë kur tymi na helmonte çdo ditë?”, përgjigjja nuk duhet të jetë: “Rrinim në heshtje.”Duhet të jetë: “Luftuam. U zgjuam. Reaguam. Sepse nuk mund të kishim bërë ndryshe.”
Fryma është jetë. Jeta është zgjedhje. Zgjohu tani, Elbasan.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME