Nga Fatmir Popja
Një operacion i madh kërkimi dhe shpëtimi u zhvillua në Kanionin e fshatit Valëshi, Njësia Administrative Gjinar, Bashkia Elbasan, pas raportimit për zhdukjen e një 50-vjeçari që dyshohej të ishte aksidentuar gjatë një tentative për të gjetur qenin e tij të stanit në një zonë të thepisur shkëmbore.
Sipas Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor, thirrja për ndërhyrje mbërriti nga Emergjencat Civile të enjten, në orën 11:00. Menjëherë u mobilizua Grupi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Elbasanit, i përbërë nga Nertil Ziu, Dion Biça, Armand Bakalli, Julian Ziu, si dhe Kozma Prendi nga Berati.
Kërkimet u zhvilluan intensivisht në zonën e kanionit deri në orën 19:00, ku u gjet vetëm qeni i humbur, ndërsa i zotit të tij nuk kishte asnjë gjurmë.
Dyshimet u përqendruan në mundësinë që 50-vjeçari të kishte rënë në një nga gropat e thella me ujë të rrjedhës së kanionit.Për të avancuar kërkimet, në vendngjarje mbërriti edhe një grup zhytësish nga Forcat RENEA, të cilët rifilluan kërkimet nënujore në orën 20:00, bashkë me dy prej anëtarëve të grupit malor: Nertil Ziu dhe Kozma Prendi.
Operacioni vijoi gjatë natës në kushte të vështira terreni dhe moti, me angazhim maksimal nga ekipet e kërkim-shpëtimit dhe forcat speciale. Fatkeqësisht, pas orësh kërkimi, u bë e mundur lokalizimi dhe nxjerrja e trupit të pajetë të Pullum Toçit, 50 vjeç, në një gropë rreth 5 metra të thellë brenda rrjedhës së kanionit.Trupi u nxor nga zhytësit e repartit RENEA në bashkëpunim me ekipin e Kërkim-Shpëtimit Malor të Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor.
Ky operacion i vështirë konfirmon edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përkushtimin e strukturave shqiptare të shpëtimit malor dhe forcave speciale për të ndërhyrë në situata të rrezikshme dhe shpesh jetike.