Bashkia e Librazhdit ka nisur procesin e emërimit të administratorëve të rinj në njësitë administrative, duke u bërë e para ndër shtatë bashkitë e Qarkut Elbasan që zbaton këtë riorganizim drejtuesish pas urdhërit të Kryeministrit të disa muajve më parë. Këtë javë janë emëruar tre administratorë të rinj në njësitë Orenjë, Hotolisht dhe Qendër.
Burime zyrtare për “Albania Express News” konfirmojnë se Klodian Daja është emëruar në krye të Njësisë Administrative Hotolisht, duke zëvendësuar Florian Mnallën.

Në Njësinë Administrative Qendër, drejtimin e merr Jetmira Kujtila, pasuesja e Roland Çotës, i cili e ka mbajtur këtë detyrë për shumë vite.

Ndërkohë, Njësia Administrative Orenjë do drejtohet nga Daut Çota, i cili zëvendëson Gentian Lukën pas një periudhe 7-vjeçare në këtë pozicion. Emërimi i Çotës erdhi pas një gare të fortë kandidaturash, ku mes konkurrentëve ishin edhe Sadi Doka, Elsa Goma, Dorjan Disha dhe Albert Luka, të cilët pretenduan se kishin kualifikime të larta dhe përvojë të përshtatshme për këtë funksion.

Ndërsa në njësitë Steblevë dhe Polis nuk ka ndryshime në drejtim,ato do vazhdojnë të drejtohen respektivisht nga Albert Kaleci dhe Edvina Koçi. Kujtojmë se Koçi u emërua në këtë post në fillim të verës 2025.Procesi pritet të vijojë edhe në njësitë e tjera të bashkive të tjera të Qarkut Elbasan në javët në vijim.
albaniaexpress.al

