EKSKLUZIVE/ Keidi Sejdiu për “Albania Express News” nga Anglia: “Arti nuk është dekor, është kujtim, ndjenjë dhe rrëfim”

Në një botë ku zhurma shpesh mbulon thellësinë, zëri i një artisteje që guxon të flasë me ngjyra, simbole dhe poezi është i rrallë. Keidi Sejdiu, një artiste e kompletuar mes pikturës dhe poezisë, vjen me një rrëfim të thellë, të ndjeshëm dhe autentik për udhëtimin e saj artistik nga vegjëlia në Shqipëri deri në skenën ndërkombëtare në Angli. Sejdiu është një grua që krijon me ndjenjë, punon me pasion dhe flet me sinqeritet të papërpunuar për sfidat, transformimet dhe idealet e saj. Përmes kësaj interviste ekskluzive, “Albania Express News” ju fton në një dialog të rrallë me shpirtin e një artisteje që nuk bën kompromis me artin dhe e shndërron çdo vepër në një kujtim të përjetshëm.“Arti ka qenë gjithmonë brenda saj”

Znj. Sejdiu, si nisi udhëtimi juaj në botën e artit dhe letërsisë?

Besoj se të qenurit kreative ka qenë pjesë e imja që në vegjëli. Më kujtohet që kam pasur gjithmonë interes për ngjyrat dhe më vonë për librat. Poezitë e para kam filluar t’i shkruaj në moshën 10-vjeçare, dhe ende sot ruaj atë fletore të vjetër apo vizatime të asaj moshe. Unë kam qenë nga ata fëmijë që krijonin vetë kukullat apo lojërat, dhe besoj se kjo ka qenë një tregues i qartë i rrugëtimit tim drejt artit. Arti nuk erdhi si zgjedhje, por si mënyrë e të qenurit.

Cili ka qenë impulsi i parë që ju shtyu drejt pikturës dhe poezisë?

Besoj që e kam kuptuar shumë herët që kam qenë ndryshe nga fëmijët e tjerë. Kam qenë gjithmonë shumë kurioze për të eksploruar botën dhe kam pasur shumë fantazi. Nëse shikoja retë, shihja forma, imazhe, krijoja rima nga fjalë të ndryshme. Më pas, kur zbulova librin, u lidha thellësisht me të. Poezia dhe piktura nuk më gjetën ,ishin brenda meje dhe unë vetëm i nxora në dritë.

Cilat janë sfidat më të mëdha që keni përballuar gjatë karrierës suaj artistike?

Kanë qenë disa. Fillimisht jam përballur me pamundësinë financiare dhe kohore për ndjekjen e kurseve të ndryshme, dhe flas për vitet 1995-1998, kur Shqipëria ishte në një tranzicion të thellë dhe çdo mbrëmje kishim kufizime të energjisë elektrike. Një sfidë tjetër ishte mentaliteti i shoqërisë nga vija, ku të qenurit një nxënëse ekselente nuk e përkonte me idenë që arti të ishte zgjedhja e duhur për të ardhura apo stabilitet në të ardhmen.Por sfida më e madhe në kontekstin artistik është të besosh te vetja jote dhe të gjesh stilin tënd, të jesh i kënaqur me veprën tënde. Kjo është një fazë që të gjithë artistët e kalojnë, por mund të superohet vetëm me punë. Identiteti, karakteri, ngjyra dhe stili artistik maturohet me vite,por kurrë pa qenë shumë kërkues me veten.

A mund të na përshkruani stilin tuaj artistik dhe evolucionin e tij me kalimin e viteve?

Në rastin tim, mendoj se pikturat janë një autobiografi, një rrëfim emocionesh, kujtimesh dhe eksperiencash. Nga ana teknike, stilin tim do ta përkufizoja diku mes neoimpresionizmit dhe ekspresionizmit. Të dyja bazohen në gjendjen e brendshme dhe mënyrën se si artisti e sheh botën.Piktura ime është realiste në të njëjtën kohë, por jo aq sa t’i përmbahet rregullave të klasicizmit. Shtegu në të cilin kalon është më tepër i lidhur me simbolikën sesa me imazhin e vërtetë. Duke qenë se piktura ime është e errët, ka një frymë gotike dhe është ajo që e veçon nga ekspresionizmi klasik. Ngjyra, relievi, struktura të gjitha janë një pjesë intime e rrëfimit.

Ekspozita “Metamorfoza e Pritjes” u vlerësua si një nga më të suksesshmet në Durrës. Çfarë e bënte atë kaq të veçantë për ju?

Besoj se ajo ekspozitë ishte e suksesshme pikërisht sepse i gjithë cikli ishte një rrugëtim, një histori e cila vazhdon nga një pikturë në tjetrën dhe duket si ato serialet apo librat që e mbajnë historinë nga një botim në tjetrin. Gjë që nuk është e zakontë për pikturën.Ajo ekspozitë, por edhe telajot e mia në përgjithësi, marrin kuptim kur plotësohen me tabllo të tjera, sepse i njëjti simbol ose objekt gjendet në më shumë se një tabllo. E kjo, mendoj se ishte risi për publikun.

Si u prit kjo ekspozitë nga publiku dhe kritika?

Mendoj se ekspozita pati sukses pasi shumë vizitorë zbuluan një dimension dhe koncept tjetër pikture ,atë që më së shumti fshihet pas artit në vetvete, me simbolika të thjeshta ku gjithkush gjen një copë nga vetja.

Çfarë simbolike mbartin 37 punimet e saj dhe cilat janë disa nga mesazhet që donit të përcillnit?

“Metamorfoza” tregon për zhvillimin tim si artiste, rritjen, sfidat, atë çka unë kam krijuar nëpërmjet një rrugëtimi dhe zhvillimi të brendshëm. Është pikërisht ajo pikënisje që buron nga një kujtim, nga një simbolikë.Një nga pikturat e mia të para në nisjen e këtij koleksioni është një bunker i hedhur në plazhin e Himarës, i rrethuar nga gjemba dhe fruti që quhet ndryshe “fiq deti”. U inspirova nga mënyra se si objektet e rigjejnë veten, ashtu si njerëzit.Pas asaj pikture të stilit Pop Art nisa edhe dy apo tre telajo të tjera që sjellin sërish në qendër bunkerët,por në këtë rast ato paraqiten si memorie kolektive në ngritjen e një imazhi jo lufte, por dashurie dhe vetëmbrojtjeje për veten. Pastaj, duke përdorur lego, zogj, nis një tjetër cikël kompozimi ku asnjëherë nuk veçohet një pikturë nga një tjetër, por simboli merret me vete si një timbër në muzikë që shoqëron një melodi.Makina ime e vjetër e shkrimit, kukulla, radiot e vjetra, ora me të cilën zgjoheshim çdo mëngjes nuk janë thjesht objekte dekorative, por objekte të shoqërisë sonë kolektive, ku secili nga ne ka një kujtim, një kthim në fëmijëri, një metamorfozë të brendshme që të jep një emocion ndryshe.Mesazhi im nuk është gjë tjetër veçse një rrugëtim brenda vetes, të cilin herët a vonë duhet ta marrim të gjithë.

Në punimet tuaja shpesh përmendet simbolika e kohës. Çfarë domethënie ka kjo për ju?

Kohë është ajo që nuk e ndal dot, por gjithmonë është prezent në punimet e mia. Ajo nuk është vetëm matje e çastit, por një rrugëtim që përfshin kujtime, pritje, zhgënjime dhe shpresa. Në shumë tabllo, ora apo sende që shënojnë kohën janë si dëshmitarë të një epoke, të një momenti që mbetet në memorien tonë kolektive. Kohë do të thotë edhe ndryshim, dhe ndryshimi është esenca e artit dhe jetës.

Poezia dhe piktura si lidhen në krijimtarinë tuaj?

Ato janë dy gjuhë të ndryshme, por vijnë nga i njëjti burim. Poezia më ndihmon të shpreh atë që nuk mund ta kap dot me ngjyrat, ndërsa piktura më jep formë dhe jetë për atë që ndjej brenda. Në shumë raste, poezia më shërben si një guide për ngjyrat dhe imazhet në pikturë, ndërsa piktura më sjell një frymëzim të ri për të shkruar.

Sa rëndësi i kushtoni detajeve teknike në pikturë, si materiali apo teknika e përdorur?

Teknika është një pjesë shumë e rëndësishme, sepse ajo është ura mes idesë dhe realizimit. Unë preferoj të përdor bojra me vaj sepse më lejojnë të punoj me shtresa të ndryshme, të krijoj volum dhe jetë. Po ashtu, më pëlqen të përdor materiale të ndryshme në bazë të idesë, duke krijuar relief dhe teksturë. Çdo detaj ka rëndësi, pasi është pjesë e historisë që dua të tregoj.

A ka ndikuar ambienti ku keni jetuar në stilin dhe temat e punimeve tuaja?

Sigurisht, ambienti ku rritesh ndikon shumë në mënyrën se si sheh botën. Unë u linda dhe jam rritur në një qytet bregdetar, në Durrës ku natyra dhe deti janë një pjesë e pandashme e jetës. Kjo gjë shfaqet shpesh në ngjyrat e përdorura, në simbolikën e ujit dhe ajrit. Po ashtu, tranzicioni shoqëror dhe periudhat e vështira që ka kaluar vendi im kanë krijuar temat që përshkojnë punimet e mia, siç janë nostalgjia, pritja dhe ndryshimi.

Si ka ndikuar përvoja juaj si Drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve në vizionin tuaj artistik?

Ajo përvojë ka qenë shumë e bukur pasi ishte një pozicion më shumë përgjegjësi edhe për faktin që kisha marrë përsipër të trëgoja se unë ja dilja, për të gjithë ata që nuk ishin skeptik, por njëkohësisht unë duke qenë se e dashuroj historinë , antikitetin e duke qenë se vij nga një background që më ka lidhur me monumentet, pasi jam diplomur për pikturë monumentale, mozaik, afresk dhe vitrazh, gjeja veten pas eksperiencave të mija në fushën e restaurimit. Projekti i ndriçimit të amfiteatrit të Durrësit, është tjetërsuar pasi fillimisht ndriçimi ishte projektuar të vendosej në pjesën e sipërme të galerive dhe më është dashur me forcë ta mbroj duke u përballur edhe me specialistë të fushës për të mbrojtur tezën time që ndriçimi në pjesën e poshtme do ti shtonte vizualisht monumetalitetin por edhe do shmangte dëmtimin nga rrjeti i instalimit i cili kishte sigurisht edhe kosto më të ulët. Kthimi i galerisë verire ne sallë koncerti për festival muzikore, me znj. Nevila Kalaja, rikthimi i arenës së amfiteatrit në shërbim të teatrit veror me regjizoren Driada Dervishi ku unë isha pjesë edhe e kostumografisë, janë moment që kanë shënuar një epokë të re në vizionin për monumetet, por edhe duke u kthyer në traditë. E sigurisht janë shfaqur edhe në pikturën time.

Cili është roli i emocioneve në krijimet tuaja?

Emocionet janë thelbësore, pa to një punë artistike mbetet thjesht një imazh i bukur. Unë dua që publiku të ndjejë atë që unë kam përjetuar kur kam krijuar tablonë. Nëse piktura nuk ngjall një ndjesi, një emocion, atëherë ajo ka humbur kuptimin. Emocioni është ajo lidhje e veçantë mes artistit dhe shikuesit.

Si e përballoni bllokimin krijues?

Bllokimi është pjesë normale e krijimit. Kur ndodh, nuk e detyroj veten, përkundrazi, bëj një hap pas, shoh gjëra të tjera, lexoj, dëgjoj muzikë, udhëtoj. Shpeshherë ideja e ardhshme vjen nga një situatë që nuk e prisja, nga diçka e përditshme. Pasi kalohet momenti i bllokimit, krijimtaria kthehet më e fuqishme.

A keni ndonjë ritual para se të filloni një punë të re?

Jo një ritual fiks, por më pëlqen të krijoj ambientin tim,të ndez dritat në mënyrë të butë, të dëgjoj muzikë klasike ose jazz dhe të kem pranë libra që më inspirojnë. Ajo që nuk mungon është çaji i ngrohtë. Ky është një moment qetësie që më ndihmon të lidhem me brendësinë time.

Çfarë ndikimi ka marrëdhënia me publikun në punën tuaj?

Marrëdhënia me publikun është shumë e rëndësishme. Shpeshherë një pikturë merr kuptim të ri kur dikush tjetër e sheh dhe ndan mendimin ose emocionin e tij. Ky feedback më motivon dhe më ndihmon të shoh veprën nga perspektiva të ndryshme. Por është e rëndësishme të mos harrojmë që arti fillimisht duhet të jetë autentik, i lindur nga zemra e artistit.

Cilat janë temat që keni dashur të eksploroni më shumë në krijimtarinë tuaj?

Kam dashur të eksploroj temën e kujtesës, kohës, identitetit dhe ndryshimit. Por edhe raportin mes njeriut dhe natyrës, si dhe ndikimin që ka koha në marrëdhëniet njerëzore. Këto tema janë të pafundme dhe të pasura për të sjellë mesazhe të thella.

Sa e rëndësishme është për ju të ruani traditën, dhe sa të përparoni me risitë në art?

Mendoj se tradita është baza që na mbështet, na jep identitet. Por risitë janë ato që na shtyjnë përpara, që na bëjnë të ndryshojmë dhe të shprehemi në mënyra të reja. Në art, kjo balancë mes traditës dhe inovacionit është një sfidë e vazhdueshme. Unë mundohem ta ruaj këtë ekuilibër duke përdorur simbole të vjetra, por duke i interpretuar në forma moderne.

Çfarë roli luan muzika në procesin tuaj krijues?

Muzika është një burim i madh frymëzimi për mua. Ajo ndikon në ritmin dhe emocionin e asaj që po krijoj. Disa herë pikturoj në heshtje, por shpesh dëgjoj jazz, muzikë klasike apo bossa nova. Muzika më ndihmon të lidh emocionet me ngjyrat dhe format, dhe të krijoj një atmosferë ku imagjinata mund të fluturojë lirisht.

A mund të na tregoni për një moment të paharrueshëm në karrierën tuaj?

Një nga momentet më të bukura ishte kur mora ftesën për të ekspozuar në një galeri të njohur në kryeqytet. Ishte një konfirmim i punës dhe përpjekjeve të mia, dhe një moment kur kuptova që arti im po arrinte te njerëzit. Një tjetër moment i paharrueshëm ishte kur një koleksion im u ble i plotë nga një koleksionist i njohur, gjë që më dha besim për rrugën që kam zgjedhur.

Cili është projekti juaj i ardhshëm artistik?

Po punoj për një koleksion të ri që do të trajtojë temën e transformimit dhe ripërtëritjes, duke përdorur ngjyra më të ndezura dhe materiale më të ndryshme. Do të jetë një sfidë e re për mua, sepse dua të eksploroj më shumë dimensionet tridimensionale në pikturë.

Si mendoni se arti juaj kontribuon në shoqëri?

Arti është një pasqyrë e shoqërisë dhe një mënyrë për të reflektuar mbi realitetin. Unë besoj që punimet e mia i sjellin njerëzit më pranë vetes, i bëjnë të ndalen e të mendojnë për jetën, kohën dhe marrëdhëniet e tyre. Në një shoqëri që ndryshon kaq shpejt, arti ndihmon për të ruajtur identitetin dhe për të kultivuar ndjeshmërinë.

Cilat janë disa nga burimet tuaja të frymëzimit?

Përtej natyrës dhe kujtimeve personale, lexoj shumë poezi dhe prozë, ndjek ekspozita të ndryshme dhe muzikë. Për mua frymëzimi mund të vijë edhe nga një takim i rastësishëm, një bisedë apo edhe një detaj i vogël në qytet.

Çfarë do t’i këshillonit artistëve të rinj?

T’u besojnë vetes dhe të mos ndalen kurrë së punuari. Arti kërkon durim dhe përkushtim, por edhe kur vështirësohet, duhet të mos heqin dorë. Është e rëndësishme të jenë autentikë dhe të kërkojnë stilin e tyre, pa u ndikuar shumë nga trendet.

Sa rëndësi ka edukimi formal për një artist?

Edukimi formal është i rëndësishëm për të marrë njohuri teknike dhe për të kuptuar historinë e artit. Por nuk është i vetmi rrugë. Shumë artistë janë autodidaktë dhe përparojnë me eksperiencë. Për mua, edukimi është një proces i vazhdueshëm, dhe mësoj edhe sot çdo ditë nga eksperienca dhe bota rreth meje.

Cili është mesazhi juaj për ata që duan të hyjnë në botën e artit?

Ta bëjnë me gjithë zemër dhe pa frikë. Arti është një udhëtim që kërkon pasion dhe sakrificë, por jep shumë në kthim. Mos kërkoni lehtësi, por jepuni vetes mundësinë të zbuloni dhe të shpreheni. Çdo punë, çdo veprim, çdo emocioni që jepni në veprën tuaj, do të gjendet prej dikujt.

Si e shihni të ardhmen tuaj në art dhe çfarë dëshironi të lini pas si trashëgimi?

Emrin.. mendoj se duke qenë goca e një ish futbollisti kam ndjerë gjithmon peshën e “goca e Lut Sejdinit” dhe kjo ka ndihmuar shumë në dy drejtime, e para nderimi i atij emri dhe e dyta të bej mbase atë të quhet “Babi i Keidit” sepse trashegimia më e madhe që kemi është emri.

Epilog

Një artiste që flet përmes ngjyrave dhe fjalëve

Keidi Sejdiu nuk është thjesht një emër në botën e artit shqiptar ,ajo është një zë, një ndjesi, një reflektim i thellë i realitetit të heshtur. Me një gjuhë të veçantë simbolike në pikturë dhe një ndjeshmëri të sinqertë në poezi, ajo arrin të prekë ato shtresa të shpirtit që zakonisht mbeten të pashprehura. Nga ekspozitat që sfidojnë konvencionalen, te vargjet që flasin për humbje, metamorfozë dhe rikthim, ajo ndërton një univers artistik që nuk ka nevojë për përkthim sepse ndjehet.Në një kohë kur arti shpesh reduktohet në pamje dhe spektakël, Keidi Sejdiu na kujton se arti i vërtetë nuk është dekor për murin, por një pasqyrë për shpirtin. Dhe ajo pasqyrë, për të gjithë ata që zgjedhin ta shohin, ka një emër: KEIDI !

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

San Siro i ri, detaje të reja: 52 metra i lartë dhe çati që ul zhurmën…

E ardhmja e futbollit të Milanit varet nga një...

Iu vendosi ultimatum, Fatmir Mediu nxjerr “zbuluar” Sali Berishën: Më tha shko në protestën e UÇK

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka folur në...

Rekordi i çmendur i gjyqtarit Turpin: 101 penallti të akorduara në Ligue 1!

Clément Turpin, gjyqtari i ndeshjes midis PSG dhe Strasbourg,...