Egnatia sfidon milionat e Olimpijas: Gati për ëndrrën europiane

Nga Vladimir Mema 

Egnatia është gati për sfidën e parë kundër Olimpija Ljubljanës në turin e tretë të Conference League. Skuadra nga Rrogozhina do të luajë në transfertë këtë të enjte ndaj një kundërshtari më të fortë në letër, më të shtrenjtë në vlerësim, por jo domosdoshmërisht më të mirë në fushë. Kjo është filozofia që po përçon trajneri Edlir Tetova në prag të një tjetër kapitulli europian. Nëse krahasojmë emrat, përvojën ndërkombëtare apo tregun, Olimpija ka përparësi të dukshme ndaj Egnatias. Vlera e skuadrës sllovene është afërsisht tri herë më e lartë se ajo e kampionëve shqiptarë, ndërsa klubit nga Ljubljana nuk i mungon përvoja në Europë. Por për Tetovën, këto nuk janë faktorë që përcaktojnë rezultatin. Ai e di mirë që futbolli europian ka parë mjaft ndeshje ku “i vogli” ka ndëshkuar të mëdhenjtë dhe po punon që Egnatia të jetë shembulli i radhës.

PA PRESION, ME LLOGARI – Ndryshe nga rivalët, Egnatia hyn në këtë përballje pa presion mbi supe. Kualifikimi në këtë tur është një arritje më vete dhe çdo gjë tjetër që vjen konsiderohet bonus. Pikërisht kjo situatë është ajo që Tetova po përpiqet ta kthejë në favor të skuadrës së tij. Qetësia dhe përqendrimi, pa ndjenjën e detyrimit për të dominuar ndeshjen, mund të jenë armë të forta për të ndalur një kundërshtar që pritet të luajë me iniciativë. Por për Egnatian, kjo sfidë nuk është thjesht një ndeshje për t’u shijuar. Plani është i qartë: të mbajnë gjithçka të hapur për takimin e kthimit në Rrogozhinë. Dhe për ta arritur këtë, një element është vendimtar, të mos pësojnë gol.

MBROJTJA, ÇELËSI I KUALIFIKIMIT – Në përgatitjet për sfidën e parë, fokusi kryesor ka qenë mbrojtja. Jo vetëm në prapavijën klasike, por në gjithë funksionimin e skuadrës si një bllok kompakt, që fillon nga presioni i sulmuesve dhe përfundon te reagimet e portierit. Sota dhe Xhemajli pritet të jenë sërish shtylla e qendrës, me ndihmën e krahëve aktivë si Alijev dhe Fangaj. Para tyre, Aleksi dhe Fernando do të jenë mburojë shtesë, ndërsa në tranzicione kërkohet shpejtësi dhe qartësi. Në fazën sulmuese Selmani me Grudën në mbështetje të Bakajokos, por edhe me mendjen për të parë edhe mbrapa. Ashtu si me Dinamo Minskun, që u mbajt në kontroll gjatë dy ndeshjeve, edhe ndaj Olimpijas kërkohet një performancë me pak gabime, shumë përqendrim dhe efikasitet në fazën mbrojtëse. Një barazim pa gola ose një humbje minimale do të ishte rezultat i pranueshëm dhe pikërisht aty është përqendruar strategjia.

KUALIFIKIMI NË RROGOZHINË – Plani është i thjeshtë, por kërkon ekzekutim të saktë: të kthehen në Shqipëri me një rezultat që i jep kuptim ndeshjes së kthimit. Në Rrogozhinë, ku skuadra është e fortë dhe publiku gjithnjë më i pranishëm, Egnatia beson se mund të bëjë diferencën. Kjo është arsyeja pse në ndeshjen e parë nuk do të rrezikojnë më shumë sesa duhet. Në Europë, shpesh kualifikimi fitohet me durim dhe me menaxhim, jo vetëm me spektakël. Mbetet për t’u parë sesa do të vihet në zbatim plani i Tetovës për të dërguar Egnatian në fazën “play-off”, çka nënkupton duelin e fundit për futjen në grupe.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Praga i jep fund skuterëve elektrikë, qyteti synon rrugë më të sigurta për këmbësorët

Praga ka vendosur të ndalojë marrjen me qira të...

Një portier për historinë; Neuer, ‘gardiani’ me 363 fitore në Bundesligë, askush si ai

Bayerni i Mynihut të shtunën mori një fitore shumë...

U-17 për vajza / Shqipëria barazon me Estoninë në “Elbasan Arena”

Shqipëria U-17 për vajza zhvilloi sot në stadiumin “Elbasan...