Egnatia sfidoi edhe arbitrin skocez në Lubjanë, barazoi 0-0 mes njëanshmërisë flagrante

Nga prof.dr. Xhevdet Zekaj

Në kryeqytetin slloven, Egnatia ka treguar karakter, rezistencë të hekurt dhe shpirt gare të admirueshëm, duke marrë një 0-0 të artë ndaj Olimpija Lubjana në ndeshjen e parë të raundit të tretë të “UEFA Conference League”. Ishte një natë ku fati, forca e kolektivit dhe dinjiteti sportiv u vunë përballë jo vetëm një kundërshtari të vështirë, por edhe padrejtësive të një arbitri që, për hir të së vërtetës, humbi busullën e drejtësisë.

Skuadra rrogozhinase, me një formacion startues të vlerësuar në treg me 3.7 milionë euro, përballë një ekipi slloven me vlerë 5.9 milionë euro, nuk kishte përballë vetëm një skuadër me emër në arenën ndërkombëtare dhe një publik entuziast, por edhe një gjykim që me kalimin e minutave u shndërrua në barrë të rëndë dhe në provë të jashtëzakonshme karakteri.

Arbitri skocez John Beaton, 43 vjeç, e nisi ndeshjen me një gjykim normal, por sa më shumë shtohej tensioni i vendasve dhe bëhej e pamundur gjetja e golit për Olimpija, aq më i njëanshëm dhe i pakuptimtë bëhej vendimmarrja e tij. Faktet janë kokëforta: 8 kartonë të verdhë të dhënë vetëm kundër Egnatias – ndërsa për Olimpija, asnjë! Sikur të kishim të bënim me një ekip engjëjsh dhe një tjetër demonësh. Një karton i kuq për kapitenin Fangaj, i cili la skuadrën me 10 vetë dhe do të mungojë në sfidën e kthimit. Një penallti kundër, që rrezikoi t’i shkatërronte gjithë përpjekjet dhe organizimin perfekt të skuadrës shqiptare. Dhe një tjetër episod në minutat e fundit që, pa ndërhyrjen e VAR-it, do të kishte përfunduar në një tjetër dhuratë për vendasit – por u korrigjua në goditje dënimi jashtë zonës.

Përballë këtij presioni – psikologjik, fizik dhe arbitrash – Egnatia nuk u dorëzua. Futbollistët e Edlir Tetovës mbajtën nervat, mbrojtën me disiplinë dhe u përpoqën të godasin me shpejtësi në kundërsulm. Nëse do të duhej të veçonim një hero nga kjo përballje, ai do të ishte pa dyshim portieri Dajsinani, i cili me pritjet vendimtare mbajti portën të paprekur dhe ruajti shpresën për kualifikim.

Në letër, Olimpija kishte gjithçka: vlerën më të madhe të merkatos, mbështetjen e publikut dhe, siç tregoi mbrëmja, edhe favorin e gjyqtarit. Në fushë, megjithatë, Egnatia tregoi se nuk do të ndalet nga asgjë, se është gati të luftojë deri në sekondën e fundit, se është në Europë për të konkuruar dhe për të nderuar futbollin shqiptar.

Ndeshja e kthimit në stadiumin e Rrogozhinës do të jetë një tjetër betejë, por tashmë Egnatia ka fituar një aleat të fuqishëm: respektin e publikut shqiptar dhe ndërkombëtar, të atyre që besojnë se futbolli nuk duhet deformuar nga bilbili, por duhet fituar me djersë në fushë.

Dhe nëse UEFA dëshiron ta mbajë këtë kompeticion të pastër dhe të besueshëm, do të duhet të tregojë kujdes në caktimin e arbitrave. Sepse ajo që ndodhi në Lubjanë ishte jo vetëm e padrejtë, por edhe e rrezikshme për imazhin e garës. Arbitri Beaton ndëshkoi gjithçka që kishte ngjyrat e rrogozhinasve në fanellë, por nuk pa asgjë të gabuar në faullet e përsëritura të vendasve.

Mjafton të vësh në kandar këtë fakt: Olimpija – zero kartonë! Si të kishin luajtur një lojë me duar të pastra, pa ndërhyrje, pa kontakte, pa fjalë. Ndërkohë që çdo prekje e Egnatias u ndëshkua me karton, çdo protestë me paralajmërim, çdo moment i dyshimtë në zonë – një penallti. Vetëm teknologjia ndaloi një tjetër padrejtësi.

Egnatia doli e pamposhtur nga një ndeshje e vështirë, por edhe nga një duel moral: lufta kundër njëanshmërisë. Kjo skuadër nuk ka më vetëm një objektiv për t’u kualifikuar, por një motiv më të madh: të tregojë se e drejta nuk nëpërkëmbet, se shpirtin nuk ta gjykon dot askush, as arbitri më i paaftë.

Rrogozhina pret. Dhe kësaj here, nuk do të jetë vetëm…

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME