Edicioni IV i Kupës së Ambasadorit, aktivitet sportiv në Javën Kulturore Japoneze

Tirana priti për të katërtin vit radhazi Kupën e Ambasadorit, turneun e xhudos dhe karatesë. Palestra e Parkut Olimpik u kthye për disa orë në një arenë ku u zhvilluan garat.

Në këtë edicion morën pjesë 116 sportistë, 64 garues nga sporti i xhudos dhe 52 sportistë dhe specialistë nga karateja. Publiku duartrokiti çdo përballje, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore.

Aktiviteti u organizua nga Ambasada japoneze në Tiranë në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Xhudos, Federatën Shqiptare të Karatesë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Ky turne ka fituar vend të veçantë në kalendarin sportiv dhe kulturor shqiptar, duke promovuar jo vetëm garën, por edhe vlerat e artit dhe filozofisë së sporteve japoneze.

Në këtë veprimtari ishte i pranishëm ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, zëvendësministri i Sportit, Endri Hoxha, presidenti i Federatës së Xhudos, Drin Shkreta dhe presidenti i Federatës së Karatesë, Petrit Baba.

“Sporti, ashtu si arti, është një akt kulturor, edukativ dhe social që bashkon njerëzit. Shembulli japonez është frymëzues. Sporti si pjesë e javës kulturore tregon se nuk ka veprim më të fortë që nxit përfshirje dhe solidaritet. Çdo investim që bëjmë në sport është një investim në të ardhmen, sepse ekonomia më e mirë e vendit është e ardhmja më e mirë për të rinjtë tanë”, u shpreh ministri Gonxhja.

Ndër sportistët më të dalluar të këtij edicioni ishte xhudisti Jon Vrenozi, me 23 vite përvojë. Ai arriti të marrë vendin e parë, duke treguar jo vetëm aftësi të jashtëzakonshme teknike, por edhe frymë sportive të admirueshme.

Xhudoja dhe karateja, dy sporte me origjinë nga Japonia, janë shumë më tepër se një përballje fizike. Ato janë art, kulturë dhe filozofi jete. Ambasada japoneze në Tiranë i kushton vëmendje të veçantë zhvillimit të tyre në Shqipëri, duke mbështetur federatat me specialistë japonezë, trajnim dhe baza materiale që ndihmojnë sportistët të rriten profesionalisht. Ky aktivitet u organizua në kuadër të Javës Kulturore Japoneze e cila zhvillohet deri më datë 16 tetor.

Fituesit e Kupës së Ambasadorit 2025:

Kategoria e djemve:

Vendi i parë: Jon Vrenozi

Vendi i dytë: Luka Briçi

Vendi i tretë: Klevis Murati dhe Ersi Cuka

Kategoria e vajzave:

Vendi i parë: Erisa Brahimaj

Vendi i dytë: Desara Ndoci

Vendi i tretë: Fjoralba Marku dhe Peris Balaj

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Barcelona nuk heq dorë nga Lewandowski, i ofron rinovimin e kontratës

E ardhmja e Robert Lewandowskit është ende për t’u...

Bordi i Transparencës ndryshon sërish çmimin e naftës, ja sa do të shitet pas orës 16:00

Bordi i Transparencës në datë 11 Prill 2026 ndryshoi...

“E papranueshme të vazhdohet kështu”, Hita takim me drejtuesit e Shkodrës dhe Lezhës: Luftoni drogën

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita...