TIRANË, 7 prill/Albania Express News/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot te lufta kundër korrupsionit, ndërsa theksoi se “nuk mund të ketë korrupsion në rritje dhe të ketë njëkohësisht më shumë përfitues nga garat publike, rritje të numrit të bizneseve dhe të pensioneve”.
Në prezantimin e platformës së punësimit në administratë, Rama informoi se vetëm në 2 muajt e fundit janë hapur mbi 2 mijë biznese të reja në vend.
“Të thuash që sot Shqipëria ka më shumë korrupsion se ndonjëherë më parë do të thotë të flasësh përçart. Natyrisht që sot flitet më shumë për korrupsionin, qoftë për shkaqe objektive, qoftë për shkaqe totalisht subjektive, qoftë për shkak se si asnjëherë më parë i është hapur korrupsionit luftë. Dhe lufta i është hapur në radhë të parë politikisht nga një forcë qeverisëse që ka udhëhequr një reformë që ka çliruar duart e drejtësisë”, u shpreh Rama.
Po ashtu, kreu i ekzekutivit theksoi se nuk mund të ketë korrupsion në rritje dhe të ketë rritje pensionesh me një projeksion i cili është i përfshirë në parashikimet buxhetore të katër viteve.
“Në çdo janar rritja do të dyfishohet. Që do të thotë, në janarin 2028 do të trefishohet, në janarin 2029 do katërfishohet dhe në janarin 2030 do pesëfishohet”, tha Rama.
Të gjitha këto, sipas tij, “nuk do të thotë që nuk ka korrupsion, por se ky është një proces transformues që pasqyrën e ka jo tek të dhënat apo tek pasqyrimi që i bën njëra palë apo pala tjetër, por e ka tek pasqyrimi objektiv i këtij transformimi nga Komisioni Europian”.
“Dalin shumë raporte nëpër botë, po ka vetëm një raport i cili nuk bazohet në perceptime, në anketime që shpeshherë janë me plot boshllëqe, por bazohet në një ndjekje rigoroze 7 ditë të javës, 24 orë të ecurisë së punëve të një vendi në çdo sektor dhe ky është raporti i Komisionit Europian”, shtoi ai.
Në përfundim, kryeministri solli në vëmendje edhe hapat që janë ndërmarrë për transformimin e pakthyeshëm të administratës.
“Kur ne kemi marrë detyrën i kemi gjetur të gjithë punonjësit e shtetit në ‘kthetrat’ e politikës. Ishin në ‘kthetrat’ e politikës të gjithë mësuesit, infermierët, punonjësit e Policisë, shefat e komisariateve, shefat e qarkullimit; drejtorët e qarqeve i vendoste partia, i vendosnin deputetët me telefona, deputetët me influencë”, u shpreh Rama.
Për herë të parë, sipas tij, “administrata filloi të funksiononte me një ligj të shërbimit civil, i cili kaloi kur ne erdhëm në qeveri dhe sot përgatitemi për të kaluar disa ndryshime në ligjin e shërbimit civil, të cilat janë të konsultuara me Komisionin Europian.
“Nuk është politika që vendos fatin e tyre, por është përpjekja për të identifikuar dhe për të mbështetur ata që e meritojnë”, u shpreh Rama.

