Një përpjekje e jashtëzakonshme dhe e rrezikshme e shërbimit zjarrfikës të Gramshit shpëtoi dy jetë këtë të hënë në aksidentin që ndodhi në aksin Kabash–Porocan, pranë fshatit Bardhaj. Për më shumë se dy orë, zjarrfikësit luftuan me terrenin e vështirë dhe thellësinë e humnerës prej 70 metrash për të nxjerrë të plagosurit nga mjeti i përmbysur. Sipas z. Ilir Llapushi , Drejtues i Shërbimit Zjarrfikës të bashkisë Gramsh ,çdo minutë ishte një betejë me rrezikun, dhe secili hap kërkonte sakrificë dhe guxim të jashtëzakonshëm.

Një kamionçinë, me në bord infermieren Dëshira Kapo Hoxha, mësuesen Albana Besim Boja dhe drejtuesin Shaban Demir Kotorri, humbi kontrollin dhe ra në humnerë. Infermierja humbi jetën në vend, ndërsa mësuesja dhe drejtuesi i mjetit mbetën të plagosur rëndë. Zjarrfikësit u vunë menjëherë në aksion, duke përdorur të gjithë aftësitë dhe fuqinë fizike për të nxjerrë viktimat nga rrënojat e kamionit të përmbysur në humnerë.

Burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se një nga të plagosurit ishte ngulur nën kamionçinë, duke e bërë nxjerrjen jo vetëm të vështirë, por edhe të rrezikshme për vetë zjarrfikësit. Megjithatë, ata nuk u dorëzuan dhe, pas një pune intensive që zgjati mbi dy orë, arritën të shpëtonin dy jetët, duke parandaluar një tragjedi edhe më të madhe.
Policia ka nisur hetimet për shkaqet e aksidentit, Ndërkohë edhe më e vështirë ka qenë puna për nxjerrjen e viktimës e cila kishte përfunduar poshtë kabinës së kamionçinës e mbuluar me dhera e gurë.
Paraprakisht dyshohet se terreni malor i thyer dhe kushtet e vështira të rrugës mund të kenë shkaktuar humbjen e kontrollit të kamionçinës. Por, përtej çdo dyshimi, heroizmi dhe sakrifica e zjarrfikësve të Gramshit mbetet imazhi më i fortë i kësaj ngjarjeje: njerëz që nuk u trembën nga rreziku për të shpëtuar jetët e të tjerëve.

