Nga Igli Cara
Edhe një herë tjetër Durrësi u përmbyt! Banesa të mbuluara nga uji, rrugë të pakalueshme, qytetarë të dëshpëruar që luftojnë me baltën dhe mungesën totale të ndihmës ky është realiteti i një qyteti që meriton shumë më tepër, por që keqqeveriset prej vitesh me arrogancë dhe papërgjegjshmëri.
Pas çdo reshjeje, skena është e njëjtë: Durrësi gjunjëzohet. Por kjo nuk është një katastrofë natyrore – është një katastrofë qeveritare!
Miliona euro janë investuar – në letër – për të ndërtuar infrastrukturë moderne, evropiane, të qëndrueshme ndaj kushteve atmosferike. Ku janë këto investime? Pse s’funksionojnë? Apo janë zhdukur në xhepat e klientëve dhe miqve të pushtetit, përmes projekteve të fryra, tenderave të manipuluar dhe punimeve me standardin “3 ditë jetë”?
Kush mban përgjegjësi për këtë dështim? Kush do t’u kërkojë ndjesë atyre familjeve që nuk janë dëmshpërblyer ende për dëmet e përmbytjeve të mëparshme dhe sot përballen sërish me të njëjtën tragjedi?
Është koha që përgjegjësit të dalin para qytetarëve dhe të japin llogari!
Kryeministri Edi Rama dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emirjana Sako nuk mund të fshihen më pas fasadave dhe propagandës. Ata duhet të japin shpjegime:
• Pse çdo vit Durrësi përmbytet?
• Ku kanë shkuar fondet publike të dedikuara për sistemin e kanalizimeve, për rikonstruksionin e infrastrukturës, për mbrojtjen e qytetit?
• Pse banorët janë gjithmonë të fundit që dëgjohen dhe të parët që vuajnë?
Kjo nuk është më çështje moti, por çështje drejtësie, transparence dhe përgjegjësie politike.
Durrësi meriton një zgjidhje, jo një justifikim të radhës!