Durrësi beson tek ëndrra e madhe

– “Teuta” fitore që ndez shpresën

– Me “Partizanin” në fund javë “ndeshja e jetës”

– Kjo ndeshje nuk është vetëm e futbollistëve, por e të gjithë qytetit

Nga BUJAR QESJA

Në një mbrëmje të mbushur me emocione dhe tension sportiv në kryeqytet, ekipi i futbollit “Teuta” e Durrësit, arriti një fitore që vlen më shumë se tri pikë. Ishte fitore që ringjalli besimin, fitore që ndez shpresën e një qyteti të tërë, për të qenë pjesë e fazës finale të kampionatit.

Në stadiumin e “Air Albania”, me 15 mars 2026, në ndeshjen e 28-të të superligës, përballë një kundërshtari të fortë si “Dinamo City”, durrsakët triumfuan falë golit vendimtar të Arifit, duke marrë një sukses të çmuar që e mban ekipin shumë pranë objektivit të madh.

Kjo ishte java e parë e fazës së katërt dhe të fundit të kampionatit, fazë në të cilën çdo pikë merr peshë të veçantë. Pas kësaj fitoreje, “Teuta” ngjitet në kuotën e 37-të pikëve, vetëm dy më pak se “Dinamo” me 39-të dhe gjashtë më pak se “Partizani” i vendit të katërt me 43 pikë.

Janë edhe tetë ndeshje për t’u luajtur dhe çdo gjë mbetet e hapur. Shpresa është e gjallë, madje më e fortë se kurrë.
Por ajo që u pa mbrëmë në fushë, ishte më shumë sesa një rezultat. Ishte karakter, ishte shpirt sakrifice, ishte grintë sportive dhe mbi të gjitha, një kolektiv që lufton për një qëllim të madh.

Futbollistët e “Teutës” treguan se dinë të vuajnë, dinë të mbrohen dhe dinë të godasin në momentin e duhur. Goli i Arifit, ishte shpërblimi i një pune të përbashkët, i një skuadre që nuk u dorëzua për asnjë çast.

Në krye të kësaj skuadre qëndron trajneri Enkelejd Dobi, emër i njohur për tifozët durrsakë. Dikur futbollist i “Teutës” në fillim të viteve ’90, është rikthyer në një rol tjetër, por me të njëjtën dashuri për fanellën blu. Dobi ka ditur të ndërtojë një ekip të balancuar, të disiplinuar dhe me identitet të qartë loje. Nuk është vetëm trajneri i skuadrës, por edhe frymëzuesi i saj.

Në këtë rrugëtim mbështetet edhe nga kolegë, që gjithashtu kanë veshur dikur fanellën e Teutës, Bledar Hodo dhe Bledian Rizvani. Kjo treshe, natyrisht me mbështetjen e presidencës Troplini dhe të stafit të KF Teuta të drejtuar nga Eni Furrxhi, përfaqëson një lidhje të fortë me historinë dhe shpirtin e klubit, një vazhdimësi që i jep skuadrës jo vetëm profesionalizëm, por edhe identitet.

Në mesin e fushës, arkitekti i lojës mbetet Maçolli, dispeçeri i vërtetë i ekipit. Ai është dirigjenti i këtij orkestrimi futbollistik, lojtari që organizon, shpërndan dhe vendos ritmin e ndeshjes. Rreth tij ndërtohet loja, ndërsa shokët e skuadrës, gjejnë hapësirat dhe momentet për të goditur.

Statistikat e sezonit flasin për një skuadër të ekuilibruar: 8 fitore, 13 barazime dhe 7 humbje. Golaverazhi 25 me 25 tregon një ekip, që di të mbrohet dhe të sulmojë me maturi. Ndoshta nuk është skuadra më spektakolare e kampionatit, por është një skuadër që nuk dorëzohet lehtë dhe që lufton deri në fund.

Dhe tani vjen momenti vendimtar.

Në fundjavë, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, “Teuta” pret “Partizanin” në atë që mund të quhet pa frikë “ndeshja e jetës”. Përballë do të jetë skuadra e vendit të katërt, pra një rival direkt për fazën finale. Një fitore do të thotë jo vetëm tre pikë, por edhe një hap gjigant drejt katërshes së artë të kampionatit.

Prandaj kjo ndeshje, nuk është vetëm e futbollistëve. Është e gjithë qytetit. Është e tifozërisë durrsake, që historikisht ka ditur ta mbështesë ekipin në momentet më të rëndësishme.

Durrësi duhet të jetë në këmbë. Tribunat e “Niko Dovanës” duhet të mbushen plot, me zëra, flamuj dhe besim. Sepse futbolli jeton nga emocioni i tifozëve, nga energjia që vjen nga shkallët e stadiumit dhe që kalon te lojtarët në fushë.

“Teuta” e mbrëmshme në Tiranë, tregoi se ka zemër. Tregoi se ka karakter. Tregoi se ka një skuadër, që beson te vetja. Dhe kur një ekip beson, gjithçka bëhet e mundur.

Ky është moment i bukur për futbollin durrsak. Një moment që të kujton se sporti është shpresë, është pasion, është krenari e qytetit.

Edhe për mua personalisht, ky shkrim vjen pas shumë vitesh larg nga publiçistika e futbollit. Por ka raste kur zemra të thërret të rikthehesh. Dhe kjo fitore e “Teutës”, është pikërisht një nga ato raste të rralla, kur entuziazmi të shtyn të marrësh penën dhe të shkruash.
Sepse kur “Teuta” fiton, fiton Durrësi.

Dhe sot, më shumë se kurrë, “djemtë e detit”, janë pranë një ëndrre që duket gjithnjë e më reale.
“Teuta” fitoi. “Teuta” beson. Dhe tani është radha e Durrësit të besojë bashkë me të.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Medalje, rekorde dhe krenari: Elbasani shpallet nënkampion i vendit në peshëngritje

Klubi Shumësportësh Elbasani ka konfirmuar edhe një herë traditën...

Shqipëria 17 vjet në NATO, Begaj: Faktor stabiliteti dhe sigurie në Aleancë

TIRANË, 1 prill /Albania Express News/ Presidenti i Republikës,...