Në Durrës po vijon puna për lirimin e hapësirave të bankinave të kanaleve kulluese të zëna nga ndërtimet pa leje përgjatë segmentit Ura e Dajlanit – Plazh.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo ndërhyrje, ku po punohet për prishjen e lavazheve dhe të objekteve të tjera që pengojnë zgjerimin e kanalit të ujërave të larta.
Në kuadër të masave për normalizimin e situatës së shkaktuar nga përmbytjet, në zonën e Urës së Dajlanit po kryhen ndërhyrje për zgjerimin e kanalit të ujërave të larta, i cili shërben për grumbullimin dhe shkarkimin e ujërave që vijnë nga zona e Shkozetit dhe Plazhit me qëllim rritjen e kapaciteteve kulluese.
Paralelisht, po punohet edhe për pastrimin e kanalit nga mbetjet dhe materialet inerte, të grumbulluara si pasojë e prurjeve të mëdha të ujërave të shkaktuara nga reshjet.

