Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, ka deklaruar se besimi i qytetarëve ndaj këtij institucioni është në rritje të ndjeshme, duke u reflektuar në një shtim me 36% të referimeve nga publiku gjatë vitit 2024, krahasuar me 2023.
Në fjalën e tij në takimin e nivelit të lartë, organizuar në bashkëpunim me Mbretërinë e Holandës dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Dumani theksoi se çdo veprim i SPAK bazohet jo vetëm në ligj, por edhe në transparencë, përgjegjësi dhe profesionalizëm.
Ai u ndal te sfidat e institucionit, si mbingarkesa proceduriale, mungesa e stafit dhe e infrastrukturës, duke shtuar se sistemi i administrimit të çështjeve është tashmë funksional dhe pritet të arrijë kapacitetin e plotë deri në fund të vitit.
Dumani veçoi se pavarësia dhe llogaridhënia mbeten shtyllat kryesore të punës së SPAK, ndërsa mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë si Euralius, Opdat, Europol dhe FBI ka qenë e një rëndësie të madhe në rritjen e kapaciteteve hetimore dhe forcimin e integritetit institucional.
Në përmbyllje, ai theksoi se misioni i SPAK nuk është vetëm dhënia e rezultateve konkrete, por edhe ruajtja e integritetit dhe maturisë në zbatimin e ligjit.
Ky takim ishte pjesë e projektit “Forcimi i Integritetit Gjyqësor në Shqipëri”, i financuar nga Mbretëria e Holandës për periudhën 2025–2027, që synon të rrisë profesionalizmin, etikën dhe besimin e publikut te sistemi gjyqësor pas procesit të Vetting-ut.